“Jemi rritur ndjeshëm”, kapiteni Rustem Hoxha: Nëse luajmë si në derbi do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2024 | 23:23

“Jemi rritur ndjeshëm”, kapiteni Rustem Hoxha: Nëse luajmë si në derbi do të…

Tri fitore radhazi janë lënë pas, fokusi i Dinamos është te Laçi. Në kampin blu e kanë të qartë se nëse nuk kanë vëzhdimësi, asgjë nuk ka vlerë në këtë kampionat, ku situatat mund të përmbysen shumë shpejt, brenda një apo dy javësh.

Rustem-Hoxha

Transferta e nesërme ka shumë rëndësi për dinamovitët, të cilët duhet të tregojnë se ajo çfarë skuadra ka shfaqur në tri javët e fundit janë vlerat e vërteta të saj. Fitorja dhe loja në derbin me Partizanin kanë bërë që entuziazmi dhe besimi të rritet, këtë nuk e mohon askush, por në të njëjtën kohë lojtarët dhe drejtuesit duken shumë të matur në deklarata.

KAPITENI HOXHA – Për momentin që po kalojnë 18 herë kampionët e Shqipërisë, mbrojtësi dhe kapiteni Rustem Hoxha shprehet për ‘Panorama Sport’ se koha ka bërë të vetën për konsolidimin e grupit, por edhe të gjithë faktorët e tjerë kanë reaguar në mënyrën më të mirë. “Sigurisht që jemi në një moment të mirë, tri fitore radhazi nuk janë pak dhe po ashtu loja bindëse me Partizanin. Sepse e rëndësishme është që kemi fituar duke luajtur mirë.

Megjithatë, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë gjithmonë. Ne kemi bërë mirë, por po ta shohësh, vendi i parafundit nuk është larg, ndaj dhe duhet kujdes maksimal. Duhet përqendrim që gjithçka që kemi bërë mirë deri tani ta ruajmë dhe pse jo të mos e përmirësojmë pozicionin tonë. Mendimi im është se ka edhe shumë javë kampionat dhe gjithçka mund të ndodhë, ndaj dhe na duhet të bëjmë punën tonë, me të njëjtin përkushtim dhe me të njëjtin entuziazëm si në ndeshjet e fundit. Çfarë ka ndryshuar në skuadër?

Besoj se koha ka bërë të vetën, sepse jemi një skuadër e re, e bërë gati nga e para. Jemi rritur dhe tani të gjithë kemi më shumë besim te vetja, te loja e njëri-tjetrit, te stafi teknik. Të gjithë faktorët kanë bërë punën e tyre, Presidenti Bardhi, të them të drejtën, na ka ndihmuar shumë, na ka qëndruar pranë dhe është munduar të na largoj presionin edhe në momentet më të vështira. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme në futboll”, – ka pohuar mbrojtësi durrësak, autor i 3 golave për Dinamon në këtë kampionat.

LAÇI – Për sfidën e nesërme në Laç, ku blutë shkojnë për herë të tretë këtë sezon, Hoxha shprehet: “Është ndeshje e vështirë, pa dyshim. Laçi ka një skuadër të mirë, një skuaër kompakte, që të vë në vështirësi. Megjithatë, ne shohim punën tonë dhe nëse luajmë si në derbi, besoj se do të marrim rezultat pozitiv.

Dinamo luan në çdo ndeshje për fitore, pastaj fusha tregon se sa do të jemi të zotët për të marrë pikë. Rëndësi ka që t’ia bëjmë shërbimin çdo 90- minutëshi. Jemi të përqendruar vetëm te Laçi, ka kohë për të bërë llogaritë, kampionati ka edhe shumë ndeshje. Pozitiv është fakti që tani kemi një moral ndryshe dhe besojmë më shumë te forca jonë. Shpresojmë që të kemi edhe pak fat në Laç”, përfundon prononcimin kapiteni i bluve.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"