“Jam ndejerë si kloun”, shfryn Vershtapen: Gara e Las Vegasit, 1% sport e 99% shou

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2023 | 19:31

“Jam ndejerë si kloun”, shfryn Vershtapen: Gara e Las Vegasit, 1% sport e 99% shou

Fundjava e Çmimit të Madh të Las Vegasit në Formula 1 është ndezur nga deklaratat e forta të Mark Vershtapenit. Kampioni i botës ka kritikuar zgjedhjen për të garuar në rrugët qytetase amerikane. Si gjithnjë, piloti holandez është treguar i drejtpërdrejtë: “Aspekti sportiv këtu është 1%, ndërsa shou 99%.

maks verstapen

Unë e kuptoj rëndësinë e anës komerciale, e cila lidhet me biznesin, por në të njëjtën kohë nuk mund ta fsheh këndvështrimin tim, pasi ajo që më intereson më tepër si pilot është gara dhe performanca”, deklaroi Vershtapen, i cili më pas shtoi: “Këto makina nuk janë ndërtuar për të garuar në cirkuitë , por për pista me kthesa të shpejta, të cilat ky cirkuit nuk i ka. Kështu që ky event në përgjithësi nuk më tërheq shumë”. Piloti i Red Bullit më pas kritikon rëndë edhe ceremoninë 30 minutëshe të prezantimit para publikut. “Gjatë qëndrimit aty në këmbë jam ndjerë si një kloun”, është shprehur 26-vjeçari.

HAMILTON – Për situatën e krijuar në qytet ka folur edhe Luis Hamilton, i cili u ka kërkuar ndjesë banorëve vendës për kaosin e krijuar për shkak të ndërtimit të pistës: “Kam dëgjuar që ka patur ankesa nga ana e njerëzve të zonës këtu ku do të zhvillohet eventi. Mendoj që duhet të tregojmë respekt për popullatën lokale, pasi ka kaq shumë njerëz që punojnë fort”, shpjegon piloti i Mercedesit në prononcimin e tij për “Sky Sport UK”. Më tej ai shton: “Duhet tu krijojmë sa më pak shqetësime dhe probleme njerëzve këtu. Nuk mund të kthehemi në një cirk që bën shou, duke ndikuar negativisht te banorët”.

Oraret dhe axhenda në SHBA

Çmimi i Madh i Las Vegasit shënon ndalesën e parafundit sezonale në Formula 1. Pas konferencës tradicionale për shtyp të mbajtur dje, sot në mëngjes, në orën 05:30 dhe në 09:00, është hapësirë për dy sesionet e provave të lira, ndërsa nesër në orën 05:30 do të mbahet sesioni i tretë, për ti lënë vend kualifikueseve në orën 09:00. Gara për Çmimin e Madh të Las Vegasit do të startojë mëngjesin e të dielës në orën 07:00.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"