Iu ka dhënë shansin të gjithëve duke i aktivizuar, por Zhongo mbetet “i paprekshmi” i Nicës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2023 | 16:44

Iu ka dhënë shansin të gjithëve duke i aktivizuar, por Zhongo mbetet “i paprekshmi” i Nicës

Kukësi, deri para pak javësh ka qenë në rindërtim e sipër, për shkak edhe të ndryshimit të pankinës, që pas javës së dytë me largimin e Rraman Hallaçit dhe uljes në stol të Stavri Nicës.

fghgf

Durrsaku nuk kishte kohë për të parë gjendjen e lojtarëve që mori në “dorëzim”, ndaj mënyra e vetme për t’i parë nga afër dhe sesa mund t’i bëjnë punë ekipit, ishte që t’i hidhte në fushë në takimet e kampionatit. Dhe, kur janë luajtur deri më tani 12 javë kampionat, blutë kanë aktivizuar plot 26 lojtarë. Praktikisht, të gjithë kanë pasur mundësinë të luajnë për këtë skuadër, disa më shumë dhe të tjerë më pak.

I PAPREKSHMI – Nica ka treguar se, në skuadrat që ai drejton nuk ka lojtarë të paprekshëm dhe vetëm ata që janë në formë do të luajnë. Këtë fakt ua ka bërë të qartë edhe tek Kukësi sapo u afrua. Mirëpo, ka edhe nga ata që janë “debulesë” e trajnerit apo e thënë më ndryshe, pa të cilët skuadra nuk bën dot. I vetmi që ka luajtur titullar në të 12-të sfidat ka qenë mbrojtësi Vasil Zhongo, i cili numëron njëkohësisht edhe 1036 minuta, më shumë se kushdo tjetër në këtë skuadër. Mund të thuhet se për momentin ky është lojtari, pa të cilin Nica nuk bën dot dhe të gjithë të tjerët kanë qenë të prekshëm apo të zëvendësueshëm. Zhongo, edhe pse luan në qendër të mbrojtjes dhe është i riskuar për t’u ndëshkuar me kartonë, deri më tani ka qenë i kujdesshëm edhe në këtë aspekt, duke mos munguar në asnjë takim.

TË TJERËT – Në të gjitha takimet kanë luajtur edhe Gbolahan Salami dhe Plarent Fejzaj, por jo në të gjitha sfidat e kanë nisur nga minuta e parë. Sigurisht, tek të preferuarit bën pjesë edhe kapiteni Angelo Tafas, i cili ka munguar në vetëm një takim dhe ai rast ka qenë për shkak të një dëmtimi dhe jo për zgjedhje teknike të trajnerit. Ndërkohë, sa i përket lojtarëve që Nica preferon më shumë t’i fusë nga pjesa e dytë si zëvendësues, ata janë tre: Mario Beshiraj, Atdhe Rashiti dhe Erduan Smajli, të cilët në pesë ndeshje kanë hyrë në fushë si zëvendësues. Shpesh herë, lojtarët që kanë hyrë nga stoli kanë zgjidhur ndeshjet këtë sezon për blutë dhe për këtë arsye edhe zëvendësuesit shihen si futbollistë që i kanë dhënë pikë skuadrës.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"