Ismail Keta: Titulli i Gjetanit, për flamurin kuqezi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2014 | 12:44

Ismail Keta: Titulli i Gjetanit, për flamurin kuqezi

KetaPër herë të parë në qytetin e Bulqizës do të zhvillohet një eveniment sportiv me përmasa botërore. Qyteti i minatorëve do të ketë fatin që të shtunën e 18 tetorit, ora 18:00, të presë duelin mes kampionit aktual euro-aziatik në WBC, boksierit shqiptar Gjetan Keta dhe rusit Marat Kuzev. Tri herë kampioni i botës në kikboks, Ismail Keta, vëllai njëherësh trajneri i Gjetanit, tha se ndeshja konsiderohet e vështirë për vetë faktin se Gjetani do të ketë përballë një nga 6 boksierët më të mirë të botës. “Ne e kemi studiuar shumë mirë kundërshtarin, ndaj dhe ia njohim të gjitha anët taktike. Nuk mund ta neglizhojmë, pasi ai është një ndër 6 boksierët profesionistë të peshës 72 kg më të mirë në botë. Stërvitjet tona janë bërë në disa terrene për t’iu përshtatur terrenit të improvizuar në Bulqizë. Unë besoj në taktikën që i kam dhënë Gjetanit, besoj në forcën e tij dhe mbështetjen e madhe që do të na japin spektatorët e asaj ndeshjeje. Shpresojmë ta mbrojmë titullin euro-aziatik. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne, por edhe për ngjyrat kuq e zi”. Vëllezërit Keta premtojnë që të ardhurat e mbledhura nga kjo ndeshje do të shkojnë për ngritjen e stadiumit të këtij qyteti. “Ne jemi rritur në Bulqizë dhe ajo meriton më shumë vëmendje. Është e pasur nga poshtë, por e harruar nga lart. Me zhvillimin e kësaj ndeshjeje ne duam t’i japim zë Bulqizës jo vetëm në arenën kombëtare, por edhe më gjerë. Ne kishim mundësi të zgjidhnim kudo vendin për ta luajtur këtë ndeshje, pasi jemi kampionë. Ne nuk zgjodhëm Gjermaninë për ta parë këtë ndeshje nga ana financiare, por zgjodhëm qytetin tonë, pasi i detyrohemi shumë. Theksoj se të gjitha të ardhurat që do të marrim nga kjo ndesfyhje, me shitjen e biletave dhe donatorët do të shkojnë për rininë e Bulqizës dhe pikërisht në ngritjen e stadiumit të këtij qyteti”, tha Keta. Gjetan (Mike) Keta, dy herë kampion i Gjermanisë në Federatën IKBF. Në vitin 2007 shpallet Kampion Europe në taiboks. Tani vazhdon karrierën e tij premtuese në boksin profesionist në Federatat, WBA, WBO, IBF dhe DBD. Në 19 korrik 2014, shpallet si kampion euro-aziatik në boksin profesionist në federatën WBC, në peshën 72 kg. Ndeshja u fitua me “ko” në raundin e shtatë.
DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"