Ish-sulmuesi Xhambazi: Respekt për shkodranët, por Skënderbeu di si t’i thyejë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2024 | 13:15

Ish-sulmuesi Xhambazi: Respekt për shkodranët, por Skënderbeu di si t’i thyejë

Skënderbeu ka përpara një ndeshje tejet delikate për të kaluar, siç është ajo e së hënës përballë Vllaznisë. Një takim, ku dy ekipet vijnë nga një ecuri pozitive dhe do të kërkojnë maksimumin për javën e fundit të fazës së tretë. Korçarët kanë mundur së fundi Partizanin dhe Laçin, ndaj dhe shpresat janë që të bëjë të njëjtën gjë edhe me Vllazninë.XHAMBAZI

XHAMBAZI – Për një prej ikonave të klubit bardhekuq, ish-sulmuesin Dhimitraq Xhambazi, kjo ndeshje vjen në një moment të favorshëm për korçarët, të cilët po kalojnë ndoshta formën më të mirë të sezonit. Nisur nga rezultatet e fundit të Skënderbeut, Xhambazi shpreh bindjen se bardhekuqtë do të bëjnë paraqitje të mirë dhe me ndihmën e atmosferës që krijohet në stadium, mund të marrin pikët e plota ndaj Vllaznisë.

“Është ndeshja më e rëndësishme e kësaj jave, sepse do të përballen dy ekipet me formën më të mirë për momentin. Skënderbeu vjen nga një seri fitoresh, që i kanë falur ekipit qetësi dhe mbi të gjitha moral të lartë për vijimësinë. Janë ndeshje të fituara me meritë të plotë nga korçarët dhe tregojnë se Skënderbeu e ka potencialin për të ecur me të tilla rezultate. Tani është një ndeshje me tjetër specifik, ku duhet të tregojnë vërtet cilësinë e tyre. Duke qenë pranë ekipit dhe duke parë sesi punojnë, mund të them se i kanë të gjitha mundësitë për të marrë rezultatin maksimal. Këtë e them nga vetë fakti se përgatitjet janë tejet serioze dhe puna që bëhet me skuadrën çdo ditë është profesionale. Mendoj se në këtë pikë stafi meriton përgëzime. Veç kësaj, fitoret kanë krijuar një frymë shumë pozitive dhe motiv të lartë te lojtarët, që shpresoj të reflektohet edhe në takimin e radhës”, thekson ishsulmuesi i Skënderbeut për “Panorama Sport”.

VLLAZNIA – Më pas, i ndalur te kundërshtari i Skënderbeut, Xhmabazi nuk i kursen vlerësimet për ekipin shkodran.

“Vllaznia është një ekip me traditë në futbollin tonë dhe normalisht që meriton të trajtohet me respekt. Kanë ndryshuar rrënjësisht nga ekipi i pjesës së parë të sezonit, duke krijuar stabilitet në lojë. Rezultatet e justifikojnë më së miri këtë që po them. Po kalon një formë shumë të mirë dhe ka arritur të marrë fitore pas fitoreje, që e kanë çuar në një vend të qetë në renditje. Kanë skuadër shumë cilësore, që mund të ndëshkojnë në një moment të vetëm shpërqendrimi, ndaj angazhimi duhet të jetë maksimal. Ky sezon ka treguar se asnjë ekip nuk duhet të nënvlerësohet dhe do të ketë surpriza të tjera deri në fund të kampionatit. Nga sa po shohim javë pas jave, askush nuk e ka vendin e sigurt në renditjen aktuale, ndaj do të jetë garë e fortë deri në fund”, u shpreh Xhambazi.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"