Ish-sulmuesi Xhafa: Flamurtari nuk ka fantazi, kanë nevojë për përforcime në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2023 | 12:23

Ish-sulmuesi Xhafa: Flamurtari nuk ka fantazi, kanë nevojë për përforcime në janar

Fjodor Xhafa fut në “skaner” Flamurtarin. Ndryshimet në pankinë, defektet që kanë shfaqur në 15 javë, merkatoja e janarit dhe objektivat, kalojnë në “lupën” e ish-sulmuesit.fjodor-xhafa

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, zgjedhjen e Dritan Resulit e quan të duhurën. Nuk e habit largimi i Emiljano Çelës, pasi evidenton se gjërat nuk po ecnin si duhet. Shikon një ekip pa fantazi në sulm dhe këtë gjë e cilëson si shkakun e ecurisë negative.

Iku Çela dhe erdhi Resuli. Si i vlerëson Xhafa ndryshimet në pankinë?

Janë gjëra normale këto. Kur punët nuk shkojnë mirë, natyrisht që do të ketë ndryshime trajnerësh. Me emërimin e Dritan Resulit them se zgjedhja ishte e duhura duke pasur parasysh situatën.

Çfarë nuk shkoi në drejtimin e ish-trajnerit?

Për mendimin tim, nuk kemi shumë fantazi në pjesën lart. Duhet të kemi lojtarë që të jenë më të aftë në pjesën e sulmit. Kjo nuk shkoi. Ekipi e ka shumë të vështirë që të finalizojë. Normalisht që mungesa e prodhimit të golave të ndëshkon…

Humbja me Vorën mendoni se e ka larguar edhe më shumë objektivin Superiore?

Normalisht që tani duket si më i vështirë, por është ende koha e duhur për t’ia dalë. Kështu që, me pak sforco dhe me sa më shumë punë i kanë mundësitë për të arritur objektivin që klubi ka.

Ndeshja e radhës me Lushnjën, çfarë pritet?

Çdo ndeshje duhet ta shikojmë për të fituar kundër çdo kundërshtari. Në këtë ndeshje nuk duhet nënvlerësuar ekipi i Lushnjës. Me çdo kundërshtar, sado i fortë apo i dobët të jetë në letër, duhet të futemi në fushë për të fituar.

Mendoni se në janar skuadra ka nevojë për përforcime?

Po, po patjetër që ka nevojë për përforcime. Personat që duhet të merren me këtë punë, besoj se do të bëjnë punën e duhur. Duhet të shikojnë me kujdes se ku çalon gjithçka për të bërë zgjedhjet e duhura.

Janë larguar tre lojtarë para kohe nga skuadra, keni një koment?

Është normale. Kur gjërat nuk shkojnë mirë do të ketë ndryshime. Por si gjë të mirë mund të shikoj edhe kthimin e vëmendjes te lojtarët e akademisë siç është rasti i Lleshit që po paraqitet mirë dhe është mirëpritur nga tifozët vlonjatë.

Akademia vlonjate ka elementë për ekipin e parë?

Tani që po flasim, me ekipin stërviten pesë lojtarë të akademisë dhe janë pjesë e ekipit të parë. Kjo nuk mund të quhet si arritje. Për mua arritje do të ishte që të vazhdojnë të tregojnë karakterin e duhur për vazhdimësinë. Të jenë edhe kërkues ndaj vetes dhe të mos e shikojnë si arritje afrimin tek ekipi i parë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"