Ish-drejtori Laluci: Flamurtari të mësohet me mentalitetin e finales, Memushi ka stresin e “play off”-it

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2024 | 11:22

Ish-drejtori Laluci: Flamurtari të mësohet me mentalitetin e finales, Memushi ka stresin e “play off”-it

Vangjel Laluci “skanon” Flamurtarin. Ish-drejtori i klubit, thekson se skuadra duhet të mësohet me ndeshje finale dhe të nis përgatitjet për aktin e fundit. Luhatjet në shtëpi i shikon si mobilizim të çdo ekipi, që vjen në Vlorë.

vangjel laluci

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Laluci “zbërthen” edhe Eqerem Memushin, të cilin e shikon në tension dhe me të drejtë. Ai e vlerëson historike faktin që sot skuadra drejtohet nga tre legjenda të futbollit vlonjat, Memushi, Birçe dhe Ferko.

Laluci, a e shikoni Flamurtarin gati për ndeshjet e “play off”-it?

Kemi një disavantazh në ndeshjen e “play off”-it. Mund të jetë Erzeni, Laçi apo Teuta. Në javët e fundit, këto ekipe po bëjnë ndeshje si finale. Kjo i bën ata më të përgatitur për një finale, që mund të jetë “play off”-i me ne. Flamurtari është në kushte komode, pasi e ka siguruar vendin e tretë dhe luan më lirshëm. Kjo e dobëson pak ekipin,  pasi duhet të mësohemi me mentalitetin e asaj ndeshje finale.

Çfarë ju ngroh më shumë?

Gjë e mirë është që kemi organikë. Më pëlqeu ndeshje me Tomorin, sepse ishin tre lojtarë relativisht të rinj, që e merituan. Ishte Leshi, Podrimcaku dhe Paulo Pjeshka. Më pëlqeu ky reshtim. Ishte ndeshja me Tomorin, në të cilën duhet t’u jepnim pak më shumë besim këtyre të rinjve. Puna mund të na e sjellë që të mbështetemi tek ata, sepse nuk e dimë sa zgjat një dëmtim apo kush mund të na lëndohet nesër.

I shikoni si shqetësim dëmtimet?

Nuk mund të themi që nuk ishte njëri dhe na prishi punë. Duhet të jesh i përgatitur për çdo situatë. Kanë mbetur pesë ndeshje, që do të thotë 15 pikë. Këtu nuk kanë më rëndësi pikët, sepse pak a shumë fizionomia është krijuar. Çdo ndeshje duhet të mendohet si për “play off”. Nga pikëpamja fizike, unë nuk e diskutoj. Nga pikëpamja taktike, dua të them se edhe ekipet e Superiores, që do të përballen me Flamurtarin, janë të përgatitura. Duhet një vlerësim maksimal, të jemi realistë, pasi ata janë një shkallë më lart se Flamurtari. Të mësohemi si do ta përballojmë e si duhet ta fitojmë, ndryshe nuk e arrijmë.

Në shtëpi skuadra nuk po nxjerrë potencialin e saj. Pse ndodh kjo?

Të gjitha ekipet që vijnë në Vlorë angazhohen, kjo është tradicionale. Vlora është markë dhe ka një emër. Çdo ekip dhe të gjithë lojtarët që vijnë në Vlorë kanë pikësynim evidentimin. Flamurtari çdo ndeshje duhet ta vlerësojë me shumë seriozitet. Ishte Tomori për të dalë nga kategoria. Nuk ka gjë më të mirë për ne që këtë ndeshje ta cilësojmë si provë. Me beratasit mund t’i bëjmë gjërat pak më lehtë sesa t’i bëjmë me Elbasanin. Aty mund të provojmë disa manovra.

E keni ndjekur nga afër Flamurtarin?

Këtë javë e kam ndjekur edhe në stërvitje Flamurtarin dhe trajneri Memushi ishte shumë kërkues, për të bërë atë që donte ai të bënin. Ju fliste lojtarëve, ndoshta dhe me një ton të lartë se nuk ishte i kënaqur. Unë e kuptoj gjendjen e tij, sepse ai përgatitet për qëllimin final. Për të arritur këtë, rruga nesër kalon nga Vora, pasnesër te Bylisi. Kjo rrugë do ta na çojë atje. Justifikohet shqetësimi apo reagimi i trajnerit Memushi. Ai ka stres të jashtëzakonshëm, jo për Tomorin dhe Vorën, por për atë që do të na ndodh në “play off”.

Fatin e Flamurtarin e kanë në dorë Memushi, Luan Birçe, Ferko. Duket se është luks që këto tri legjenda kanë në dorë skuadrën, apo jo?

Është vërtetë një luks i madh. Ne që jemi shokët e tyre, janë bashkëlojtarët dhe bashkëmoshatarët tanë, ndihemi mirë që në drejtimin e Flamurtarit janë pikërisht ata. Janë Flamurtari legjendar, i madh, i kohës. Ata po punojnë mirë, i kam ndjekur nga afër. Nga bisedat shoqërore që kam pasur me ta kanë shprehur dëshirën, besimin për të arritur ku duhet, sepse ndihen edhe ata keq që ky ekip që drejtojnë është në një kategori që nuk na ka hije ne si Flamurtar dhe aq më tepër këtyre legjendave. Ata e ndiejnë trefish këtë gjë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"