Interistët sfidojnë të ftohtin, festë e çmendur me traktor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2024 | 11:48

Interistët sfidojnë të ftohtin, festë e çmendur me traktor

Klima dhe moti ishte si për dimër, shiu i dendur dhe temperaturat 6 gradë. Mesnatë. Por ky i ftohtë u maskua nga festë e jashtëzakonshme e tifozëve të Interit pasi fituan titullin kampion në derbi kundër Milanit. Mijëra tifozë (15 mijë sipas autoriteteve) në “Piaza Duomo” dhe shumë të tjerë në vende të ndryshme kanë festuar si të çmendur dhe kanë treguar me forcë yllin e dytë në fanellat e stampuara.

inter

Shumë banderola, shumë fotografi, shumë flamuj e shalle që valëviteshin krenare në qiellin e Milanos. Pritja jashtë stadiumit ishte më e madhe, duke qenë se Interi këtë herë ishte udhëtues në shtëpinë e Milanit dhe nuk kishte shumë tifozë të pranishëm në “San Siro”. Ndërkohë, tifozët kuqezinj shkuan në shtëpi pa probleme dhe pa sherre (diçka që është respektuar prej vitesh), festa e kushërinjve të tyre shpërtheu pa limit deri në orët e para të mëngjesit. Flakadanë që ngjyrosën me blu Milanon, tambure dhe shashka për të ndezur atmosferën. Policia njoftoi se gjithçka u zhvillua pa probleme përveçse trafikut të rënduar në disa rrugë kryesore të Milanos që ishin mbipopulluar nga tifozët e Interit që kanë pritur vite me radhë për të stampuar në fanellë yllin e dytë të historisë.

LOJTARËT- Nga stadiumi “San Siro” menjëherë në sheshin kryesor të Milanos udhëtuan edhe futbollistët e Interit. Dimarko ishte i pari që në “Inter TV” kërkoi të shihte imazhet e festës dhe premtoi që do të shkonte aty menjëherë prandaj nuk duhet të largoheshin. Edhe Lautaro u premtoi tifozëve zikaltër që do të shkonin për të festuar dhe kjo ndodhi. Pas darkës festive në hotel “Sheraton” në “San Siro”, ku ishin prezentë miq dhe familjarë të futbollistëve erdhi momenti. Rreth orës 2:30 pas mesnate u pagua edhe durimi i tifozëve. Pikërisht Federiko Dimarko shkoi i pari për t’u shndërruar në një ultras të vërtetë nëpër ballkonet e ndërtesave. Pas tij edhe Lautaro Martinez u bashkua në festë, së bashku me Barelën pak minuta më vonë. Por lista e lojtarëve u bë e gjatë me Turam, Dumfris dhe thuajse të gjithë lojtarët e tjerë.

TRAKTOR- Në festën e madhe në shesh u shfaq edhe një traktor. Ideja e çmendur për të mbërritur deri në qendrën e Milanos me traktor tërhoqi vëmendjen e të gjithëve që hipën për të bërë foto në të dhe për të ngritur sa më lart flamurin zikaltër. Kushtet e vështira dhe temperatura 6 gradë celsius nuk i penguan tifozët e Interit që të ishin të panumërt në sheshet dhe rrugët kryesore të Milanos. Por ende nuk ka përfunduar. Pritet sërish festë e jashtëzakonshme në fundjavë, kur lojtarët të parakalojnë me autobusin e hapur dhe të jenë të gjithë pranë tifozëve. Në titullin e vitit 2021, Interi nuk festoi dot me tifozët për shkak të kushteve atmosferike.

GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"