Interi i etur për fantazi, ofertë Dibalës dhe mesfushorit të Romës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2022 | 14:43

Interi i etur për fantazi, ofertë Dibalës dhe mesfushorit të Romës

Interi kërkon të kthehet në majë dhe nuk ka ndërmend të ndalet me përforcimin e skuadrës së tij, edhe pse gjendja e llogarive të klubit nuk premton shumë.

DIBALA

Por kryesia zikaltër është nga ato që gjithmonë ka ditur të shfrytëzojë mundësitë që i jepen dhe transferimet me parametër zero kanë qenë prej kohësh specialitet i tyre.

Edhe pse Interi ka mbyllur një kampionat në të cilin ka pasur sulmin më të mirë dhe një nga mesfushat më të forta mes rivalëve, zikaltrit nuk kanë të ngopur me fantazi.

Paulo Dibala dhe Henrik Mikhitarian kanë qenë dje “shënjestrat” e klubit, që ka dërguar propozimet e tij në drejtim të dy lojtarëve.

Për argjentinasin e Juves, kontrata me të cilën skadon në qershor, oferta e zikaltërve konsiston në 6 milionë euro plus bonuset, për të cilat edhe pse nuk dihet ende shuma e saktë, aludimet janë të shkojnë deri në 3 milionë euro.

Zikaltrit synojnë të firmosin për 4 vitet e ardhshme me sulmuesin, për të cilin ndryshimin pritet ta bëjnë edhe të ardhurat nga të drejtat e imazhit, ku Interi nuk ka ndër mend të ndërhyjë.

Edhe pse Roma dhe Arsenali kanë tentuar ta joshin, nga Argjentina vijnë pohime se 28-vjeçari ka zgjedhur Interin si destinacionin e radhës, aty ku në repartin ofensiv do të gjejë bashkëkombësin Lautaro.

Është energjia, paparashikueshmëria dhe fantazia e një lojtari si Dibala që deri më tani i ka munguar forcës së “Demit” në sulm dhe me të skuadra e Inzagit pritet të marrë një tjetër dimension.

MIKITARJAN

MIKHITARIAN – Për të njëjtin motiv dhe për të njëjtat karakteristika edhe pse në një tjetër repart, Interi i ka propozuar ditën e djeshme një kontratë 2-vjeçare me 3.5 milionë euro në sezon Mikhitarianit.

Armeni që është në skadencë kontrate me Romën, është vetëm një hap larg firmës me zikaltrit, madje burimi më i afërt i klubit, “FCInternews”, ka siguruar se brenda pak ditësh do të zhvillohen edhe vizitat mjekësore.

Ende pritet lëvizja e Romës, që mund t’i ofrojë një rinovim joshës 34-vjeçarit, që gjithsesi nuk ka ndër mend të presë gjatë.

Me të në skuadër, Inzagi do të blindonte mesfushën, pasi Barela, Brozoviç e Çalhanoglu shtuar edhe eksperiencën e Mikhitarianit, do t’i siguronin Interit qëndrueshmërinë në mesfushë duke e bërë edhe më të frikshëm repartin për sezonin e ardhshëm.

Për të qëndruar konkurrues në të gjitha frontet, trajneri e di se organika duhet të pasurohet dhe me Dibalën e Mikhitarianin, Interi do të bëhej i pandalshëm.

IN

Përgatiti: NISLI GJINI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"