“I markuar” në rrugë, CR7 me truproja në stërvitje/ Rroga e 36-vjeçarit rrit shpenzimet e Mançester Junajtidit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2021 | 14:06

“I markuar” në rrugë, CR7 me truproja në stërvitje/ Rroga e 36-vjeçarit rrit shpenzimet e Mançester Junajtidit

Ai është mësuar të markohet gjatë gjithë karrierës, por tani sulmuesi portugez po mësohet me një tjetër nivel markimi, atë jashtë fushe. Gjatë udhëtimit në stërvitje ditën e enjte, me Bentlin e tij të ri, ylli i Mançester Junajtidit shoqërohej edhe nga dy truproja që i qëndronin pas.

ronaldo-badigarded

Sulmuesi u stërvit të enjten në “Carrington”, një ditë pasi ai u kursye për herë të parë që kur u rikthye në Mançester nga trajneri Ole Gunar Solskjaer, në 1/16-at e Kupës së Ligës kundër Uest Hemit.

Mançester Junajtidi u mund 1-0 nga një gol i Lanzinit në minutën e 9-të dhe u përshëndet shumë herët nga kompeticioni. CR7 shënoi të dielën kundër skuadrës së Dejvid Mojesit në fitoren me përmbysje 2-1 në Premier Ligë, i cili ishte goli i katërt i portugezit në 3 ndeshjet e tij të para me fanellën e “Djajve” pas rikthimit. Ai pritet të rikthehet sërish titullar këtë fundjavë, në ndeshjen kundër Aston Vilës. Marka e emrit të tij pritet t’i sjellë fitime marramendëse klubit në marketing, por i shton sigurisht edhe shpenzimet e rrogave duke qenë se tashmë portugezi është lojtari më i paguar i klubit.

RROGAT – Fatura e rrogave të Mançester Junajtidit pritet të rritet me shifrën rekord të 65 milionë paundëve këtë sezon për shkak të transferimeve të Kristiano Ronaldos, Rafael Varanit dhe Xhejdën Sanços. Në fund të sezonit, “Djajtë” pritet të kenë paguar në total 387 milionë paund për rrogat, afro të njëjtën shifër që me borderonë e Barcelonës në vitin 2020. Kristiano Ronaldo u transferua relativisht për një shifër modeste në “Old Trafford” nga Juventusi, e cila nuk do t’i kalojë 23 milionë eurot bashkë me bonuset dhe do të paguhet me 5 këste.

Pagat

Por rroga e sulmuesit 36-vjeçar është më e larta në klub, 385 mijë paund në javë, 10 mijë më pak sesa ajo e portierit David de Gea. Junajtidi pagoi 73 milionë paund për transferimin e Xhejdën Sanços nga Dortmundi në verë, ndërsa rroga e sulmuesit anglez është diku te 350 mijë paund në javë. Ndërkohë që transferimi i tretë në “Old Trafford”, ai i Rafael Varanit, i kushtoi Mançesterit 42 milionë paund. Rroga e ishmbrojtësit të Realit të Madridit në “Teatrin e Ëndrrave” do të jetë 340 mijë paund në javë. Pas Varanit renditet bashkatdhetari i tij Pol Pogba me 290 mijë paund në javë.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO – PANORAMSPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"