I ka shënuar Dinamos së Kievit, Ervis Kraja: Skënderbeu ia del!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2017 | 21:46

I ka shënuar Dinamos së Kievit, Ervis Kraja: Skënderbeu ia del!

Dinamo Kiev-Skënderbeu dhe Ervis Kraja në mes. Ish-mbrojtësi shkodran ka luajtur në Ukrainë në sezonin 2008-2009 dhe për më tepër i ka shënuar kundërshtarit që do të kenë përballë korçarët të enjten për Ligën e Europës.

Kraja

Mbi të gjitha, 34-vjeçari, që i ka dhënë fund karrierës, ka qenë edhe pjesë e Skënderbeut në vitin 2010, atëherë kur nisi edhe projekti për të bërë bardhekuqtë kampionë të padiskutueshëm. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Kraja kujton golin që i ka shënuar Dinamos së Kievit dhe bën parashikimin e tij për ndeshjen e së enjtes. Ish-mbrojtësi, që aktualisht bën detyrën e trajnerit te Vllaznia B, beson se bardhekuqtë mund të bëjnë surprizën në Kiev.

Kraja, rezultoni i vetmi ish-lojtar i Skënderbeut që keni luajtur në Ukrainë dhe i keni shënuar Dinamos së Kievit. Tashmë nëntë vite më pas, e kujtoni atë gol?

Po, është e vërtetë. Në vitin 2008, kur luaja në Ukrainë me klubin e Zakarpatias, që tani ka marrë emrin Hoverla Uzhhorod, në një ndeshje përballë Dinamos, kam shënuar golin e parë të takimit. Natyrisht që janë kujtime të bukura, por unë Skënderbeut do t’i uroja suksese në këtë takim.

Kundërshtari i korçarëve është një emër shumë i madh në Ukrainë, si do ta përshkruanit Dinamon e Kievit dhe sa shanse ka Skënderbeu?

Dinamo me të vërtetë është një emër i madh, por të mos harrojmë që edhe Skënderbeu tani mund të futet te skuadrat e forta, përderisa merr pjesë në Ligën e Europës. Pra, është një ekip i madh për Ballkanin. Kam besim se lojtarët me eksperiencë që Skënderbeu ka në përbërje, duke filluar nga Shehi dhe Vangjeli, do të shkojnë atje për të bërë një paraqitje të madhe.

Nga kush duhet të ketë më shumë frikë Skënderbeu në këtë takim?

Me aq sa e njoh unë Dinamon e Kievit, është një ekip që luan shumë fizikisht. Ka një kondicion fizik të lartë dhe kjo është pika e tyre e fortë. Megjithatë, jam i bindur se trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e di mirë se çfarë duhet të bëjë, pasi e ka studiuar kundërshtarin. Kam përshtypjen se Skënderbeu taktikisht do të duhet të jetë më lart se ukrainasit, duke shmangur lojën fizike. Kam besim të plotë te Skënderbeu dhe them se do të arrijë të bëjë surprizën në Kiev.

elvis kraja

Ju keni luajtur për një periudhë të shkurtër në Korçë, çfarë mbani mend nga ai sezon, ku bardhekuqtë ishin për mbijetesë…?

Nostalgjia është e madhe, pasi të them të drejtën te Skënderbeu jam ndier si në shtëpinë time, për shkak të mbështetjes së tifozëve. Kam shumë miq në Korçë dhe vazhdoj të ruaj miqësinë me disa ish-bashkëlojtarë. Gjithashtu, kam mik edhe ish-kryetarin e Bashkisë, Niko Peleshi. Edhe sot kur i kujtoj më duket vetja sikur jam ende mes tyre. Kam luajtur në shumë qytete, por ambienti i Korçës më ka lënë mbresa mjaft të mira. Kam kujtime të bukur, duke filluar që nga kapiteni Shkëmbi. Kemi qenë një grup shumë i mirë lojtarësh.

Por, ka qenë një kohë ku ana financiare nuk ka lidhje me situatën tani…

Kur unë kam qenë në Korçë, ishte viti i fundit që Skënderbeu ka qenë në ato nivele. Për fat të keq, nuk qëndrova për të qenë edhe unë pjesë e Skënderbeut kampion, pasi Vllaznia në atë vit luante për Kupat e Europës dhe presidenti Valter Fushaj më bëri një ofertë që nuk e refuzoja dot, duke qenë se do të luajë me ekipin e vendlindjes.

Së fundmi, diçka për karrierën tuaj si trajner, çfarë prisni?

Drejtoj Vllazninë B, ekip të cilin e kam marrë nga Kategoria e Tretë dhe e kam ngjitur në Kategorinë e Parë. Duam të krijojmë stabilitet në këtë kategori, duke i dhënë rëndësi elementit të ri.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"