I ikën trajnerët dhe i morën edhe lojtarët, Nallbani: Sa të jem unë, Tomorri e Sako nuk kanë vend këtu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2017 | 17:46

I ikën trajnerët dhe i morën edhe lojtarët, Nallbani: Sa të jem unë, Tomorri e Sako nuk kanë vend këtu

Studenti në volejboll për meshkuj ka qenë në dy vitet e fundit skuadra e “dënuar” prej eksodeve. Një vit më parë, ish-trajneri Ylli Tomorri mori me vete ekipin kampion për te Partizani. I njëjti shembull u ndoq së fundmi nga ishtrajneri Arben Sako pas transferimit të tij tek Erzeni. Në një prononcim për “Panorama Sport”, shefi i klubit shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani, shpreh keqardhjen për situatën e ndodhur, por premton se, sa të jetë në këtë detyrë, kjo dyshe trajnerësh nuk do të ketë vend te Studenti.

nallbani

“Si shefi i klubit prej katër viteve, këtu trajnerët i lusim që të vijnë dhe për të ikur më pas as nuk të marrin leje kur largohen. Duke përmendur rastin e fundit, nuk e mora vesh si ndodhi. Me një mesazh më njoftoi vetëm ‘që po shkoj tek Erzeni, shumë faleminderit’ duke mos treguar fare përgjegjësi. Dhe unë nuk i ktheva përgjigje. Por, për këtë çështje federata duhet të vërë një rregull për klubet duke përcaktuar kontrata 1- 2-vjeçare për trajnerët. Kurse këtu po ndodh që vijnë një muaj dhe largohen.

Nuk mund të them se ndihem i tradhtuar nga dy ish-trajnerët se mua nuk më kanë bërë ndonjë gjë të madhe, përkundrazi ia bënë vetes. Por, derisa të jem unë në drejtim të këtij klubi, ata nuk vijnë më këtu. Unë nuk u kam lënë asnjë gjë mangët, plus edhe lojtarët kanë mbetur të kënaqur, pasi janë likuiduar rregullisht. Ndaj më vjen keq pasi u kam plotësuar kushtet.

Studenti volej

Kur kam shkuar përpara katër viteve në këtë detyrë, volejbolli shqiptar kishte prej vitesh që nuk merrte pjesë në Kupat e Europës. Kam bërë unë luftë në Ministri, duke ndihmuar edhe me fonde. Me vite Studenti fitonte kampionatin, por nuk merrte pjesë në Kupat e Europës, sepse nuk kishte fonde. Siç ndodhi në fund të këtij edicioni me Vllazninë”, shpreh indinjatën Nallbani.

Ndërsa i rikthehet zgjedhjes së teknikut Sako, ai thekson se ka qenë në dijeni të një largimi të tillë. “Për rastin e fundit, ndiej keqardhje, të paktën të më lajmëronte dhe jo vetëm me një mesazh telefonik. Kurrsesi nuk jam kundër largimeve, por të paktën të ikin në mënyrë dinjitoze. Nuk i mban njeri me zor”. Sakaq, dje është prezantuar skuadra për sezonin e ri sportiv nën drejtimin e trajnerit Altin Demi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"