“I druhem vetëm… Cankës”, Bubeqi në “stres” para sfidës me Lushnjën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2022 | 21:48

“I druhem vetëm… Cankës”, Bubeqi në “stres” para sfidës me Lushnjën

Dorjan Bubeqi kthehet në “Roza Haxhiu”, me një tjetër status. Si trajner ka sfiduar shumë skuadra të kësaj lige, por kurrë Lushnjën. Kjo transfertë është më shumë se e veçantë për të, pasi dikur ai ka luajtur dhe ka qenë idhulli i tifozërisë verdhejeshile.

bubeqi besa

Nëse asokohe luante në krah të Mikel Cankës, të shtunën do e ketë si kundërshtar në fushë. Emocione ka, por në fund llogaritë i bën vetëm me pikët. E quan të vështirë pa diskutim këtë 90-minutësh dhe sidomos pas problemeve që po i shfaqen me mungesat. Sikur të mos mjaftonin të pezulluarit Muçaj në mesfushë dhe Meçja në sulm, pezull ka edhe një mbrojtës. Nuk dihet nëse do të mund të aktivizohet Skerdian Perja.

Ai ka luajtur i dëmtuar ndaj Burrelit, duke sakrifikuar jo pak dhe mjekët janë në dyshim nëse duhet të rrezikojë më. Por, lajm i mirë është rikthimi i qendërmbrojtësit Kukaj. Për shkak kartonësh mungoi ndaj matjanëve, por këtë javë kthehet. Pas seancës së djeshme stërvitore, Bubeqi për “Panorama Sport” deklaroi:

“Është hera e parë që kthehem në Lushnjë si trajner i Besës. E di se ultrasit lagunarë ende më duan e nderojnë, këtë herë si kundërshtar të tyre. Lushnja e Besa kanë dekada që luajnë bashkë si në Superiore ashtu dhe Ligën e parë. Është një duel tradicional që ka dhuruar përherë rezultate të pakonstestuara asnjëherë.

Këtë pres dhe në këtë përballje, por nuk do të jemi në kushte të barabarta. Kur them këtë, kam parasysh se do të më mungojnë Muçaj e Meçja, që janë pika referimi në repartet e tyre. Perja që luajti i dëmtuar ndaj Burrelit nuk e di a do të mund të sakrifikojë edhe këtë javë. Të mungojnë 3 lojtarë titullarë për Besën në këto momente, e kundër një ekipi si Lushnja, është një minus jo i vogël. Unë nuk e kam fshehur kurrë se në stol kam lojtarë të U-19-ës”.

FRIKA – Përtej të gjithave, Bubeqi nuk dorëzohet lehtë. Besa do të synojë të mos dalë duarbosh nga Lushnja, me gjithë mungesat. “As ne, as Lushnja nuk duhet të ishim këtu ku jemi.

Po flas për Besën time, që falë kësaj renditjeje, është e detyruar që kudo që luan të hyjë në fushë vetëm për pikë. Këtë do të bëjmë edhe në Lushnjë. Do të udhëtojmë me synim për të dhënë më të mirën tonë. E di, e njoh Lushnjën që është rritur mjaft, por ne, e përsëris, kemi objektivat tanë. Jo për diplomaci, por duke ia njohur vlerat që herët, i druhem Mikel Cankës. Ka dhe një avantazh, njeh prefekt lojën e secilit në prapavijën tonë. Uroj të gabojë sa më shumë para portës kavajase (qesh)”, përfundoi trajneri.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"