I dha fitoren Bylisit ndaj Vorës, Abazaj nuk sheh rivalë: Jemi kandidati kryesor për ngjitjen në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2023 | 15:36

I dha fitoren Bylisit ndaj Vorës, Abazaj nuk sheh rivalë: Jemi kandidati kryesor për ngjitjen në Superiore

Bylisi e nisi këtë sezon me revolucion total. Ndryshuan staf dhe lojtarë, por pati edhe nga ata që mbijetuan. Në këtë listë ishte edhe Marin Abazaj, që këtë kampionat e ka nisur edhe si titullar. Mesfushori u bë protagonist edhe në ndeshjen e fundit, kur i shënoi atë gol në fund Vorës.

ABAZAJ

Pogradecari e quan të merituar atë trepikësh, por tani kërkon vazhdimësi. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 22-vjeçari thotë: “Jam shumë i lumtur për golin, por sidomos për fitoren që arritëm. E merituam. Jemi një ekip me djem të rinj, të gjithë ulim kokën dhe mendojmë që të realizojmë objektivat e skuadrës. Bylisi është kandidati kryesor për ngjitjen në Superiore.

Kam besim se do të ruajmë këtë ritëm. Falë punës së mirë dhe shumë profesioniste që bëhet nga trajneri ynë dhe stafi, Bylisi do të jetë ekipi për t’u mundur në këtë kategori”. E pranon që gara është ashpërsuar, por rivalë nuk sheh. “Rivalë kemi vetëm veten tonë. Nuk mendojmë për objektivin afatgjatë, por më shumë ndalemi dhe analizojmë ndeshjet që kalojnë dhe përgatitemi për sfidat në vazhdim. Kemi ditë që kemi nisur të mendojmë për ndeshjet e radhës ndaj Lushnjës në ‘Adush Muçaj’, por dhe turin e dytë paraeliminator”, përfundoi Marin Abazaj, një nga lojtarët stabël të skuadrës mallakastriote këtë sezon.

Ndërkohë qe ballshiotët pritet që të jenë të plotë, duke nisur nga sfida me Lushnjën. Pritet që brazilianët Xheferson Kibe dhe Filipe Souza të jenë gati për lojë, si edhe Gëzim Krasniqi. Bylis pritet që të ketë “përforcime” shtesë e thënë ndryshe, që duket se e konsolidojnë edhe më shumë skuadrën. ERJON SALIU -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"