‘Hyjnori’ Xheko sfidon të shkuarën, kërkon të thyejë tabunë Spaleti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2021 | 18:03

‘Hyjnori’ Xheko sfidon të shkuarën, kërkon të thyejë tabunë Spaleti

Të dielën Interi dhe Napoli do të përpla sin brirët në “San Siro” aty ku protagonistët priten të jenë të shumtë, por sytë padyshim që do të jenë mbi golashënuesin më të mirë të zikaltërve Edin Xheko, që po shkon drejt rikuperimit dhe me shumë mundësi do të zbresë në fushë që nga minuta e parë kundër skuadrës së Luçiano Spaletit, njeriut me të cilin ka ndarë një sezon e gjysmë te Roma.

XHEKO 2

Sulmuesi dhe tekniku kanë një raport të shkëlqyer, që karakterizohet nga një vlerësim reciprok, i ndërtuar në kohën kur të dy ishin në kryeqytet dhe kur Spaleti ishte kundër të gjithëve për aktivizimin e Xhekos, që “i merrte” minutat Françesko Totit.

Pas largimit për tek Interi, tekniku kërkoi ta merrte me vete, por ai si gjithë trajnerët që erdhën pas tij, nuk arritën ta sillnin tek Interi Xhekon deri këtë verë, kur lojtari u vendos nën urdhrat e Inzagit.

Pikërisht Simone do e përdorë boshnjakun si armën kryesore në betejën ndaj ish-trajnerit të tij, por sa herë që kjo përballje ka ndodhur, duhet thënë se 35-vjeçari nuk ka pasur sukses. Spaleti është një tabu dhe në 3 sfidat mes tij dhe Xhekos, ku ky i fundit nuk ia ka dalë të fitojë asnjëherë, me një bilanc që shënon 1 fitore të trajnerit dhe dy barazime.

Edin ka shënuar vetëm një gol ndaj Interit të Spaletit dhe bëhet fjalë për humbjen e verdhekuqve në Olimpiko me rezultatin 1-3 në gusht të 2017-ës.

LOJTAR HYJNOR
Por, nëse kundër tij ka shënuar vetëm një herë, Xheko ka qenë një makineri golash kur drejtohej nga Spaleti. 44 gola në 69 ndeshje për një sezon e gjysmë i siguruan sulmuesit jo vetëm titullin e golashënuesit të Serisë A në sezonin 2016- 2017 (29 gola), por edhe atë të Europa League (8 gola.

Për Spaletin, futbollisti ishte titullar i padiskutueshëm dhe nuk e diskutonte aktivizimin e tij edhe pse në stol linte një legjendë si Toti që ishte në vitin e fundit të karrierës.

STATISTIKAT E XHEKO SIPAS SOFASCORE

05fc01d1-e672-4d3f-a451-92fd35804cbc

“Lojtar hyjnor”, e quante trajneri numrin e tij 9 tek i cili kishte besim absolut, sidomos në ndeshjet e rëndësishme. Për këtë motiv në momentin e lamtumirës së Luçianos nga Roma, erdhi edhe falënderimi publik i Xhekos në profilet e tij zyrtare:

“Faleminderit trajner. Me ty jam bërë një lojtar më i mirë. Të uroj më të mirën për të ardhmen”. E pavarësisht kësaj, të dielën të dy do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë njohje për të dëmtuar tjetrin:

Spaleti ia njeh lëvizjet dhe di si ta ndalojë, ndërsa Xheko do të ketë një motivim shtesë për të mundur për herë të parë ish-trajnerin e tij dhe për t’i siguruar tri pikë të vyera Interit.

NISLI GJINI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"