Historike, Luiza Gega garon sot në finalen e Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2019 | 15:18

Historike, Luiza Gega garon sot në finalen e Botërorit

Atletika shqiptare sot do të ketë një ditë shumë të rëndësishme, pasi Luiza Gega do të garojë në finalen e Kampionatit Botëror që po mbahet në Doha të Katarit.

luiza gega

Kampionia kuqezi tri ditë më parë shkroi historinë duke kaluar në finale, pas garës kualifikuese që zhvilloi në disiplinën e 3000 metrave me pengesa. Ajo u rendit e pesta në baterinë e dytë kualifikuese, duke regjistruar kohën 9’28″32, rezultat që i mundësoi arritjen historike.

Mbretëresha e atletikës sonë vinte në këtë Botëror me synimin për të prekur finalen dhe tashmë këtë objektiv e realizoi me sukses, por ajo do të kërkojë një tjetër provë fantastike edhe në finalen e madhe që do të mbahet sot në 20:50 me orën e Shqipërisë. 30-vjeçarja do të jetë mes 15 atleteve më të mira të botës dhe do të synojë një tjetër garë magjike.

Ambasadori Xhani pret delegacionin kuqezi

Në prag të finales, Kujtim Xhani, ambasadori i Shqipërisë në Katar, i ka bërë një pritje delegacionit kuqezi të përbërë nga presidenti i FSHA-së, Gjergj Ruli, atletja Luiza Gega dhe trajneri i saj, Taulant Stermasi. Në një prononcim për “Panorama Sport” nga Doha, Ruli vlerëson pritjen e ambasadorit tonë në Katar: “Nuk gjejmë fjalë për ta falënderuar ambasadorin shqiptar në Katar për pritjen dhe kujdesin që ka treguar ndaj nesh. Në shumë aktivitete ndërkombëtare që kemi pasur nuk e kemi gjetur këtë pritje dhe këtë vlerësim që na bëri z. Xhani.

Ai ka lajmëru ar të gjithë komunitetin shqiptar në Katar (gati 1000 persona), për të qenë në stadium e për ta mbështetur nga afër në finale Luiza Gegën, e cila ka një garë historike. Do të isha shumë i lumtur ta falënderoja këtë person, që bëri një detyrë fisnike dhe shtetërore, duke na bërë të ndihemi shumë komod dhe të përkrahur”, deklaroi kreu i atletikës shqiptare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"