Hidhen goglat te Basketbolli, Vllaznia e nis me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2014 | 23:43

Hidhen goglat te Basketbolli, Vllaznia e nis me Apoloninë

kalendariSiç ishte parashikuar, është hedhur paraditen e djeshme në zyrat e Federatës Shqiptare të Basketbollit, shorti i kampionatit kombëtar për femra dhe meshkuj 2014- 2015. Në prezencë të sekretarit të përgjithshëm, Korab Llazani, dhe dy anëtarëve të kryesisë, Ilir Taflaj dhe Bashkim Milo, skuadrat pjesëmarrëse u njohën me kundërshtarët e sezonit të ri sportiv. Edhe pse njoftimi ishte bërë për të gjitha klubet, përfaqësimi i tyre ishte në minorancë. Të pranishëm për tërheqjen e goglave ishin Vllazina, Apolonia, Tirana, Partizani dhe Kamza Basket. Ndërsa Superliga për meshkuj e Kategoria e Parë për femra do të nisë më 17 tetor, Kategoria e Parë e meshkujve ngre siparin më 24 tetor. Pak ditë më parë Kryesia e Federatës Shqiptare të Basketbollit përcaktoi 17 tetorin si datën e fillimit të kampionatit kombëtar të rritur/ rritura për sezonin 2014- 2015. Në vendimin e marrë në dijeni të të gjithë klubeve anëtare, Ekzekutivi i basketbollit kërkoi respektimin e të gjitha afateve dhe detyrimeve që rrjedhin nga ky vendim. Përveç konfirmimit të pjesëmarrjes në kampionatet europiane të moshave U-16 (meshkuj/femra), U-18 (meshkuj/femra) dhe U-20 meshkuj, kryesia mori vendim gjithashtu që Apolonia për të rritur të futet në Superligë sipas renditjes së kampionatit të kaluar pas konfirmimit të largimit të UAT-së, si dhe katër ekipet e mbetura të luajnë me sistem vajtje-ardhje për çdo fazë. Ndër vendimet e tjera të marra ishin si vijon: Të ndryshohet neni 4.3 dhe 4.4 i rregullores në lidhje me përcaktimin e numrit të lejuar më i madh se 9; të lejohen lojtarë U-18 të luajnë në më shumë se një ekip brenda së njëjtës shoqatë dhe të licencohen me licencat përkatëse kundrejt tarifës së dyfishuar të parashikuar në nenin 19.f.
Olgert Serani

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"