Heroi i fitores së matjanëve në Vlorë, Farruku: Ky është Burreli i vërtetë, goli për vëllain

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 14:25

Heroi i fitores së matjanëve në Vlorë, Farruku: Ky është Burreli i vërtetë, goli për vëllain

 

Florenc Farruku ka shënuar të katërtin gol në kampionat. I fundit është ai në transfertë me Flamurtarin. Në dygolëshin e shënuar ndaj Besës në fazën e parë, firmosi një fitore të rëndësishme për skuadrën e tij. Kështu ndodhi dhe në dhjetorin e vitit të kaluar në ndeshjen ndaj Apolonisë.

farruku

Goli i vetëm i ndeshjes mban firmën e tij, duke i siguruar skuadrës një fitore qetësie. Por goli i shënuar në Vlorë ka peshën e vet specifike, pasi jo vetëm që u arrit në një fushë të vështirë të Vlorës, por i dha skuadrës një fitore të rëndësishme për ecurinë e skuadrës në vazhdim.

E prisnit këtë fitore kundër Flamurtarit?

Në çdo ndeshje kemi objektiv marrjen e rezultatit pozitiv, pavarësisht emrit dhe cilësisë që ka kundërshtari. Skuadra hyri e mobilizuar në fushën e lojës, Besimin te vetja dhe zbatimi i detyrave taktike të dhëna nga trajneri, ishin elementët ku u bazua loja e skuadrës sonë.

Goli i shënuar ndaj Flamurtarit është i katërti që shënoni në këtë sezon, cilin vlerësoni më të bukurin?

Çdo gol ka peshën e vet të rëndësisë. E veçoj pak këtë të Flamurtarit, jo vetëm se u arrit në transfertë, por edhe se e arritëm ndaj një skuadre me emër siç është Flamurtari. Kjo fitore tregoi se skuadra guxon të marrë rezultate pozitive dhe në ndeshjet jashtë fushe. Golin e shënuar në ndeshjen e fundit ua dedikoj sportdashësve matjanë, të cilët na ndjekin kudo, si dhe vëllait tim që ditën e ndeshjes kishte ditëlindjen.

Tashmë skuadra juaj renditet e teta në klasifikim, mendoni se i jeni larguar zonës së mbijetesës?

Asgjë nuk ka përfunduar. Në ndeshjen ndaj Flamurtarit fituam një betejë, por lufta vazhdon. Janë dhe dhjetë beteja të tjera deri në përfundim të kampionatit. Të gjitha ndeshjet kanë rëndësinë e tyre. Fitorja ndaj vlonjatëve na motivon për ndeshjet në vazhdim. E rëndësishme është, se ndeshjet e kësaj faze i nisëm me fitore. Kam besim se skuadra do të thotë mirë fjalën e saj.

Këtë javë në “Liri Ballabani” do të keni Vorën…

Do të jetë një ndeshje e fortë, por ne kemi objektiv të qartë, marrjen e fitores. Në dy përballjet e këtij kampionati, kemi zhvilluar ndeshje të bukura. Fazën e parë, pavarësisht se u mundëm 3-1, me pak kujdes ndeshja do të kishte tjetër përfundim. Raste për shënim na u krijuan, por fati nuk ishte me ne. E njëjta pamje kishte dhe ndeshja e dytë, që pavarësisht barazimit pa gola, skuadra prodhoi lojë dhe raste për shënim

Si i parashikoni ndeshjet e fazës së tretë për skuadrën tuaj?
Një gjë dua të them, se ndeshje të lehta nuk ka, qoftë për ato skuadra që synojnë kreun e renditjes, ashtu edhe për ato të mbijetesës. Duhet përqendrim te ndeshja e radhës. Takimet do t’i  marrim një nga një. Ajo që mund të them me siguri është se do të ketë luftë të fortë sportive. E parë në këtë këndvështrim është vështirë të bësh parashikime.

NDERIM GOCI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"