“Herët për titullin”, fantazisti Jurgen Bardhi: Ja si na ka ndryshuar profesor Daja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 26, 2020 | 14:28

“Herët për titullin”, fantazisti Jurgen Bardhi: Ja si na ka ndryshuar profesor Daja

Jurgen Bardhi ka shënuar golin e dytë që i ka dhënë qetësinë e duhur skuadrës së Dajës. Sulmuesi i Partizanit nuk është dukur shumë pjesën e parë, ndërsa e ka rritur rendimentin e tij në fraksionin e dytë të ndeshjes.

Jurgen Bardhi

“Ka qenë një fitore e merituar. Jemi të kënaqur si me lojën, sidomos pjesën e dytë, ashtu dhe me rezultatin. Golin ia dedikoj familjes sime, që është pika kyçe e suksesit tim”, thotë numri 11 i Partizanit. Bardhi shprehet se skuadra ka ndryshuar me ardhjen e trajnerit Ilir Daja.

“Partizani ka ndryshuar fytyrë me ardhjen e trajnerit Daja”, vijon sulmuesi. “Jemi më kompakt, grupi është më solid dhe funksionojmë si një familje. Gjithçka po shkon siç duhet dhe skuadra është në rrugën e duhur. Është shpejt të flasim për titull sepse kemi një kampionat të gjatë përpara.

Bardhi festa e golit

E rëndësishme është që te ecim me hapa të matur dhe të sigurt, duke vlerësuar çdo ndeshje dhe çdo kundërshtar. Vetë emri i skuadrës, Partizani, është një emër kampion dhe nëse nuk gabojmë gjatë rrugës, patjetër që shpallemi kampionë”. A është i kënaqur nga vetja në këto javë të para Bardhi? “Një futbollist gjithmonë do të japë më të mirën e vet për skuadrën.

Goli Jurgen bardhi

Por me ardhjen e Dajës unë ndihem më komod sepse luaj në një pozicion që më përshtatet më tepër. Do mundohem ta gjej veten siç duhet në këtë pozicion, të japë maksimumin tim, sepse kam ambiciet e mia të cilat duhet t’i realizoj, si në aspektin personal, ashtu dhe për skuadrën”, ka përfunduar për gazetën sulmuesi i Partizanit, Jurgen Bardhi.

B. RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"