Haxhiu e Kushta: FSHF po hakmerret me Flamurtarin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 24, 2015 | 19:47

Haxhiu e Kushta: FSHF po hakmerret me Flamurtarin!

Kushta ne Beograd“FSHF po hakmerret me Flamurtarin”. Kjo është deklarata e anëtarit të bordit të klubit vlonjat, Saimir Haxhiu. Dje, gjatë një bisede me “Panorama Sport”, ish-futbollisti e ka cilësuar tendencioz vendimin e Komisionit të Etikës për pezullimin e portierit Ilion Lika.

Sipas tij, Flamurtari ka denoncuar rastet e dyshuara si të trukuara, prandaj dhe tani po sulmohet nga FSHF. Anëtari i bordit mbështet administratorin Idrizi në nismën për ta paditur në gjykatë FSHF-në. “Komisioni i Etikës kërkon që të njollosë edhe Flamurtarin në këtë çështje, duke e zhytur në llum dhe në fenomenin gangrenë të trukimeve. Duke qenë se klubi ynë ka qenë i pari dhe i vetmi që ka denoncuar rastet e dyshuara të ndeshjeve të trukuara, këta duan që të godasin edhe Flamurtarin.

Pra, ata duan të thonë se edhe ky klub është pjesë e këtij fenomeni negativ, çka më duket tendencioze. Komisioni i Etikës nuk mund të hetojë trukimet. Nëse ekipet apo individët kanë trukuar, me këtë hetim duhet të merret prokuroria. Nuk kishin parë në të kaluarën vendime dhe reagime të tilla siç bëri klubi i Flamurtarit, teksa ka qenë vetë administratori Sinan Idrizi ai që ka denoncuar rastet, madje edhe kur skuadra jonë ka fituar. Mendoj se komisioni nuk i është futur thellë çështjes së fundit. Ky komision ka fajësuar dikë për të treguar se u mor një vendim, por nuk funksionon kështu. Flamurtari, siç thashë edhe më lart, ka denoncuar më parë raste të tilla dhe ata tani po mundohen që ta bëjnë pis edhe klubin vlonjat. Unë flas edhe me autoritetin e anëtarit të bordit dhe theksoj me bindje të plotë se Flamurtari është më i pastri nga të gjithë ekipet në këtë sezon dhe se nuk është bërë pjesë e këtyre pisllëqeve.

E mbështes Idrizin në nismën që ka marrë për t’ju drejtuar gjykatës në lidhje me çështjen e fundit, ku është pezulluar portieri Ilion Lika. Jam i bindur se direktivat e Idrizit janë më se të qarta dhe të drejta, pasi ka denoncuar pazaret e pista”, deklaroi Haxhiu. Ish-trajneri Legjenda e gjallë e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, thotë se lufta ndaj trukimeve duhet të bëhet konkrete dhe të çohet deri në fund. Ish-trajneri theksoi dje për gazetën se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të përfundojnë në burg ata që merren me trukimet. Sipas tij, me këtë hap nuk duhet të merret Komisioni i Etikës, por gjykata dhe prokuroria.

“Dëgjova që janë shumë lojtarë të dënuar nga Komisioni i Etikës. Unë them se, përderisa janë dënuar lojtarë, atëherë ka trukime. Kur futbolli ka trukime, ka dënime, por këto janë shumë sipërfaqësore. Në botë, kur ka persona konkretë, ata shkojnë në burg, pra jo me dënime tre deri në gjashtë muaj jashtë futbollit. Presidenti i Flamurtarit, derisa i ka çuar në prokurori këto çështje, duhet të dalin përgjegjësitë dhe, nëse ka, të dënohen ata që kanë shitur ndeshjet.

Kjo çështje nuk duhet të mbetet te Komisioni i Etikës. Ka gjykatë, le të dënohen dhe të bëhet më konkrete lufta, duke u bërë edhe shembull për të gjithë futbollin shqiptar. Nuk duhet të bëhet vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Mua, më shumë se sa fjalët, më pëlqejnë veprat. Nëse ka fakte ta çojnë deri në fund, se pastaj ato mbeten demagogji”, u shpreh dje Kushta.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"