Hamdi Salihi: Jemi të uritur, do të gjuaj sërish penallti

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2016 | 14:18

Hamdi Salihi: Jemi të uritur, do të gjuaj sërish penallti

Hamdi Salihi e mbylli në krye të listës së golashënuesve kampionatin e kaluar dhe këtë sezon e nisi po në të njëjtën mënyrë. Dje sulmuesi shkodran i Skënderbeut shënoi dy gola ndaj Flamurtarit, madje humbi edhe një 11-metërsh. Në bisedën pas ndeshjes për “Panorama Sport”, sulmuesi foli për fitoren e parë dhe bindjen e tij se pse nuk do të heqë dorë nga goditja e penalltive.

salihi

“Morëm një fitore të rëndësishme, pasi ishte takimi i parë i sezonit dhe është mirë kur e nis me këmbën e mbarë. Jemi çliruar disi nga presioni i startit të kampionatit. Ka qenë një ndeshje delikate, që e kemi zgjidhur shumë mirë dhe kemi marrë tri pikët, por mbetet gjithmonë vetëm një hap nga 36 që duhet të bëjmë.

Mbeten 35 ndeshje për të kaluar dhe duhet të vazhdojmë të punojmë me kokën ulur, duke rikuperuar gabimet. Besoj se nga ndeshja në ndeshje do të rritemi më shumë. Golat gjithmonë janë të rëndësishëm, sidomos për sulmuesit, që ushqehen me gola. Dedikimi i tyre shkon për tifozët pa dyshim, për shokët e ekipit dhe për familjen, që më mbështet gjithmonë në çdo moment.

Unë mendoj vetëm për titullin kampion dhe të fitojmë çdo ndeshje. Pavarësisht dy golave të shënuar, nuk e mendoj ‘Këpucën e Artë’ që tani, pasi objektivi ynë mbetet ai madhori, që të fitojmë titullin. Nëse e arrijmë këtë synim, e kam arritur edhe unë objektivin tim.

salihi gol skenderbeu

Penalltia e humbur? Është diçka që ndodh kur penalltitë i merr përsipër. Pra, ose i bën, ose i humb, ky është risku. Ai që merr përsipër goditjen e tyre, humb edhe penallti. Nëse i bën, është e thjeshtë, ndërsa nëse e humb, ke faj. Gjithsesi, unë do vazhdoj t’i gjuaj pasi kam besimin e duhur te vetja”, është shprehur fillimisht golashënuesi shkodran i Skënderbeut.

Dëmtimi

Në fund, Salihi foli edhe për dëmtimin e Osmanit, të cilit bashkë me shokët e ekipit, i qëndroi afër.

“Nota më negative e ndeshjes me Flamurtarit mbetet dëmtimi i Osmanit. Në fund të takimit ishim duke folur dhe të gjithë dhamë mbështetjen. U munduam të jepnin ndihmën e mundshme për të, duke gjetur një klinikë më të specializuar, pasi është diçka delikate. Do të jemi gjithmonë pranë tij, ashtu sikundër ka qenë gjithmonë Osmani pranë nesh”, përfundoi Salihi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"