Gusho: Korçarët duken një superfuqi, por Pogradeci do t’ua prishë festën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2012 | 10:42

Gusho: Korçarët duken një superfuqi, por Pogradeci do t’ua prishë festën

Është një moment që duhet menduar vetëm për vete, ndaj dhe 90 minutat e fundit mbeten jetike për Pogradecin, i cili do të vendosë fatet e veta për të qëndruar apo jo në Kategorinë Superiore. Barazimi me Apoloninë ia prishi llogaritë Pogradecit, që tashmë në 90 minuta duhet të vendosë fatin e vet; nëse do të zbresë apo qëndrojë në elitë. Pavarësisht se Skënderbeu është në një pozicion kampioni duhet të mendojë që Pogradeci është shumë më vështirë se çdo herë tjetër. Po a do të mundë ta përballojë Pogradeci-Skënderbeun, kjo do të tregohet në fushën e blertë, ku pa mëdyshje lufta sportive do të jetë e ashpër. Gjithkush ka synimet e veta, e kësisoj njëra do t’ia prish festën tjetrës, por kjo do të përcaktohet vetëm në fundjavë
Optimizmi – Zëvendëstrajneri Kopi Gusho duke folur për ndeshjen finale të sezonit, shprehet sa optimist aq edhe i frikësuar, pasi tashmë e ndien që rreziku është prezent. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport” ai nuk dorëzohet, por shpreson tek evitimi i rënies direkt. “Është një ndeshje decizive, mjaft e rëndësishme, pasi është shansi i fundit që na jepet për të qëndruar në Superiore. Prandaj ne e vlerësojmë në maksimum Skënderbeun si një ekip që i ka dhënë tonin kampionatit tonë. Duhet pranuar që është skuadra më e mirë e kampionatit shqiptar, një superfuqi që kërkon për herë të katërt titullin kampion dhe me të drejtë. Po ja që shansi i padëshirueshëm do të na vendosë përballë në një ditë jo të zakonshme. Do të hyjmë në fushë për të mbetur në Superiore prandaj, duke qenë në një takim të tillë deciziv, do preferojmë të luajmë shansin e fundit të mbijetesës dhe nga ana tjetër do të jemi korrektë me kundërshtarin tonë”, – tha në përfundim të fjalës së tij Gusho. Sakaq, ekipi po vijon me intensitet përgatitjet. Të gjithë e duan një fitore, edhe pse përballë do të kenë Skënderbeun. Dihet që tashmë Pogradeci është një “koloni” korçarësh, por në fund të fundit lojtarët duhet të respektojnë fanellën dhe jo ekipin e qytetit.

Elmazi beson tek evitimi i rënies direkt
Spartak Elmazi beson se skuadra e tij, nëse do luftojë fort, edhe mund t’ia dalë ndaj Skënderbeut. Në një deklaratë të dhënë për gazetën ai ndër të tjera thotë: “Është një finale jo vetëm për Skënderbeun, por edhe për ne që rrezikojmë rënien. Nuk duam t’ua prishim festën korçarëve, por ja që kjo përplasje do të na bëjë të mendojmë vetëm për veten. Kemi pasur mjaft luhatje fazën e dytë dhe kjo po na penalizon tani. Një pjesë e mirë e formacionit janë korçarë, por ata edhe pse do të luajnë kundër qytetit të tyre, me siguri që do të bëjnë lojën e zakonshme si në një ditë të kampionatit. E kam shumë të vështirë ta pranoj humbjen, edhe pse luajmë ndaj gjigandëve të Skënderbeut”.
Pëllumb Starova

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"