Gol i artë për ditëlindje, kapiteni Meksi: Lufta vazhdon! Skënderbeu ka forca, jemi skuadër me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2021 | 17:48

Gol i artë për ditëlindje, kapiteni Meksi: Lufta vazhdon! Skënderbeu ka forca, jemi skuadër me…

Jorgo Meksi ka qenë vendimtar me golin e shënuar në ekstrem të ndeshjes me Apoloninë. Kapiteni korçar shënoi me qetësi penalltinë e minutës së fundit për ekipin e tij, duke i dhënë tri pikë të vlefshme në garën e mbijetesës. Mënyrë më të mirë për të festuar ditëlindjen nuk kishte për lojtarin, i cili dje mbushi 26 vjeç.

Meksi

Pas ndeshjes, për “Panorama Sport”, kapiteni korçar shpreh kënaqësinë e kësaj fitoreje dhe shpreh besimin se Skënderbeu nuk do të dorëzohet deri në fund dhe ka forca për të mbijetuar.

“Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne, pasi kemi fituar ndaj një rivaleje direkte për mbijetesë. Kjo ndeshje ka pasur vlera të mëdha për ne, sepse kemi fituar në transfertë, por edhe ka qenë vazhdimësi pas kualifikimit në gjysmëfinalet e Kupës. Kemi bërë një kampionat të vështirë deri tani, por kemi luftuar fort dhe pa kompromise përballë çdo kundërshtari. Kjo fitore na rrit moralin dhe psikologjinë, duke na motivuar për të vazhduar kështu edhe në ndeshjet e tjera. Skënderbeu ka forca, jemi një skuadër me lojtarë të rinj, por me shumë dëshirë dhe përkushtim.

Do të vazhdojmë të luftojmë fort, të shohim përpara me besim për mbijetesën. Kemi fituar një ndeshje, por akoma jemi në zonën e rrezikut, ndaj nuk ka kohë për shumë festë, por të mendojmë menjëherë për ndeshjen e radhës, që e kemi sërish në transfertë, ndonëse ka kohë të mjaftueshme gjer atëherë.

Një dedikim për golin? Për familjen time dhe për të gjithë shokët e skuadrës, të cilët kanë zhvilluar një ndeshje shumë të mirë në Fier”, thotë kapiteni i Skënderbeut, Jorgo Meksi, autori i golit të fitores së korçarëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"