Godelli: Triumfi për shqiptarët, tani dua trofe në Olimpiadë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2014 | 23:56

Godelli: Triumfi për shqiptarët, tani dua trofe në Olimpiadë

Godelli dhe trajneri i tij, BishanakuDaniel Godelli ka një qetësi të admirueshme kur flet për titullin kampion bote. Toni i zërit nuk duket i një djaloshi që ngriti peshë zemrat e mijëra shqiptarëve. Lakonik në përgjigje dhe tejet i përmbajtur, ai rrëfen me qetësi olimpike rrugën drejt suksesit. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Godelli thotë se tani ka objektiv titullin kampion në Olimpiadë.
Daniel, çfarë menduat pasi lëshuat shtangën dhe kuptuat se tashmë ishit kampion bote?
Asgjë të veçantë. Thashë me vete: më në fund ia dola! Kam punuar shumë. Kam punuar gjashtë muaj intensivisht.
Sa kohë duhet të punojë një sportist për të fituar një titull kampion bote?
Ndonjëherë nuk mjafton as një jetë e tërë. Mund të bësh maksimumin, por mund të mos ia arrish dot. Unë për fat ia dola. Në fakt nuk ishte vetëm fat, ishte edhe punë, por ç’rëndësi ka. Ia dola.
Sa mesazhe urimi keni marrë?
Shumë, pa fund… Mijëra…
Kujt ia dedikoni suksesin?
Gjithë shqiptarëve. Familjes sime! Trajnerit tim Bishanaku, por edhe trajnerit Luan Shabani. Një dedikim edhe për presidentin Elez Gjoza. Pa ata, sot nuk do të isha këtu. E meritojnë të gjithë.
Çfarë po bëni aktualisht?
Jam me stafin, po festojmë disi, kështu modestisht… (qesh).
Çfarë keni ndërmend të bëni nesër (sot)?
Hëm… (mendohet). Nuk e di çfarë do bëj. Nuk e kam menduar.
Pas këtij trofeu a janë realizuar ëndrrat tuaja?
Jo, kam edhe një ëndërr tjetër.
Çfarë ëndrre?
Të shpallem kampion bote në Olimpiadë. E dua shumë një titull në Olimpiadë.
Mendon se mund t’ia dalësh?
Do të jetë e vështirë, por mund t’ia dal. Tani besoj se mund t’ia dal.
Zakonisht pas një suksesi të tillë njerëzit përloten nga emocionet. Ju u përlote?
Jo, nuk u përlota. Isha thjesht i kënaqur dhe i gëzuar për atë që arrita. Nuk kisha arsye pse të përlortesha, unë e arrita atë që doja.

Godelli, kampioni i botës që ka fiksim… ëmbëlsirat
Është 22 vjeç dhe gati-gati skuqet kur e pyet nëse është i fejuar, apo ka ndonjë shoqe. “Jam shumë i ri për të marrë nisma kaq serioze”, thotë turpshëm kampioni i ri i Europës në peshëngritje, Daniel Godelli. Në një rrëfim për “Panorama Sport” peshëngritësi peqinas tregon anën tjetër të medaljes.
Jeni i fejuar?
Jo, jo. Jam shumë i ri. Shoqe kam, por jo i fejuar.
Si e kaloni një ditë normale?
Stërvitem dy herë në ditë dhe pushoj.
Çfarë bëni në kohën e lirë?
Nuk kam shumë kohë të lirë, por atëherë kur kam nuk bëj ndonjë gjë të madhe. Dal pi ndonjë kafe me miqtë.
Çfarë makine keni?
“Audi A3”, naftë.
Çfarë makine do të donit të kishit?
Sërish “Audi 3”.
Cili është ushqimi juaj i preferuar?
Nuk e kam një të tillë, sepse ushqimit nuk i bëj naze. I ha thuajse të gjitha ushqimet.
Çfarë ju pëlqen më shumë të hani?
Ëmbëlsirat. I kam fiksim.
Cila është e preferuara?
Të gjitha po ju them.
Ëmbëlsirat i kam shumë qejf. Çfarë ju bezdis më shumë?
Llafet. Kur njerëzit flasin shumë ose kur flasin mbrapa krahëve. Më bezdis shumë edhe politika. Shumë llafe, pak punë…
Çfarë ju pëlqen më tepër?
Të udhëtoj jashtë shtetit. Të udhëtoj shumë.
Në sa vende të tjera keni qenë?
Kam qenë në shumë vende, nuk i mbaj mend të gjitha.
Cili shtet ju ka pëlqyer më tepër?
Franca dhe Turqia. Ishin shumë të bukura dhe unë kam kaluar vërtet shumë mirë atje.
LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"