Gjyla: Lushnja është favorite për Superioren, dua të humb ndershmërisht me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 27, 2020 | 22:11

Gjyla: Lushnja është favorite për Superioren, dua të humb ndershmërisht me Apoloninë

Lushnja ishte ndër skuadrat më të interesuara për rifillimin e kampionatit, duke qenë se është jashtë objektivit, kur kanë mbetur edhe 6 ndeshjet e fundit. Trajneri i saj, Ilir Gjyla, në një intervistë për “Panorama Sport”, shprehet se gjendja e skuadrës së tij është e kënaqshme. Ai beson se futbollistët me përvojë që ka do ta kapërcejnë momentin e vështirë. Gjyla flet gjithashtu edhe për frikën e dëmtimeve, për temperaturat e larta, mungesën e tifozëve dhe derbin me Apoloninë, ku kërkon vetëm ndershmëri.
gjyla

Profesor, pas ndërprerjes së gjatë të kampionatit, kaloi një javë që keni filluar punën në fushë…
Për të qenë i sinqertë, për çdo trajner është problem një situatë e tillë, pas një pushimi kaq të gjatë. Megjithatë, në këtë kategori shpesh ka ndodhur të kemi pushime të gjata. Kur përfundon kampionati në fund të muajit maj, nga qershori deri më 15 korrik është një periudhë boshe. Këto ditë jemi munduar, kemi bërë një stërvitje – test, si mund ta quajmë. I testuam djemtë jo me ndonjë normë, por në stërvitje dhe për mua gjendja është e kënaqshme.

Çfarë elementesh vlerësoni?
E kam thënë se kemi të bëjmë me futbollistë profesionistë. Lushnja ka një grup futbollistësh me eksperiencë të gjatë dhe patjetër që e kanë kuptuar se nëse do të rrinin krejtësisht pushim, do të ishte më keq për ta. Me çfarë kemi parë në një javë stërvitje, gjendja është e mirë, duke përjashtuar një ose dy futbollistë.

Keni merak për dëmtimet e lojtarëve?
Patjetër, meraku për dëmtimet është, por tani duhet të punojmë bashkërisht në stërvitje me topin. Të japësh ngarkesë të madhe, nuk ke kohë, nuk ia del dot, kështu që do të punosh edhe me topin. Eksperienca e futbollistëve që kemi do të na ndihmojë ta kalojmë këtë moment. Patjetër që më shqetësojnë dëmtimet, por ajo që më shqetëson më tepër janë temperaturat e larta. Kampionati rifillon pas gati tri javësh dhe imagjinoni çfarë temperaturash do të kemi. Të mos harrojmë që kampionati do të mbyllet më 25 korrik.
lushnja1
Do të jetë një fazë “play off”-i pa tifozë. Ju shqetëson ky fakt?
Jemi mësuar pa tifozë. Po të shikosh nëpër stadiume, nuk ka më shumë se 50 vetë. Lushnja është pak më ndryshe dhe do ta ndiejmë mungesën e tifozëve, sepse i kemi pasur gjithmonë. Por, e përsëris, do ta mbulojmë këtë mangësi me eksperiencën e futbollistëve.

Lushnja është e treta, a mbetet favorite për Superligën?
Pa diskutim që Lushnja mbetet favorite. Në përgjithësi, nuk i kemi pasur problem skuadrat e mëdha në grupin tonë. Vërtet kemi dy humbje me Pogradecin, por më vjen mirë që ndeshjet janë parë në televizor. Në humbjen në Lushnjë kemi luajtur me një portë, në ndeshjen tjetër në Pogradec kemi shënuar një gol të rregullt, një gol që e panë të gjithë. Ky gol i padhënë për ne, na ka lënë 4 pikë pas Pogradecit, të mos e harrojmë këtë. U trumbetuan golat e kundërshtarit që ishin të bukur, por ishte edhe goli ynë. Nëse do të ishte dhënë ai gol, nuk do të ishim 4 pikë larg Pogradecit, por 1 pikë larg dhe kampionati do të ishte shumë herë më i bukur. Jo se tani nuk bëhet i bukur, ne do të vazhdojmë të luajmë deri në fund, duke nisur nga sfida me Apoloninë.
apolonia
Çfarë kërkoni nga kjo ndeshje?
Dua të mundem ndershmërisht, sepse kampionatin e kam vazhduar gjithmonë ndershmërisht. Është problem për vazhdimin e kampionatit dhe nuk dihet si merr. Dua të luhet dhe të fitojë ekipi që e meriton, të ketë një gjykim të drejtë. Nuk e kam problem nëse ndodh kështu. Më tej nuk mund t’i motivosh lojtarët nëse largohesh 7-8 pikë nga kreu. Dhe po nuk i motivove dot më, prishet kampionati, ne nuk kemi ndërmend ta prishim kampionatin. Do të vazhdojmë të luajmë denjësisht deri në fund, por edhe gjykimet i duam korrekte.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"