Gjoza: Sakrifikuam 6 muaj për një titull si ky

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2014 | 23:51

Gjoza: Sakrifikuam 6 muaj për një titull si ky

Godelli dhe Elez GjozaPresidenti i Federatës së Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka qenë shumë i emocionuar pas triumfit të djeshëm. Ai ka përgëzuar Godellin për arritjen e madhe, por ka saktësuar se ky sukses nuk ishte i rastësishëm. “Kemi punuar 6 muaj intensivisht për këtë sukses. Nuk ishte e lehtë, por ne kemi besuar fuqimisht te këta sportistë dhe ia dolëm më në fund”, ka deklaruar Gjoza në një intervistë për “Panorama Sport”.
Z.Gjoza, e kishit menduar këtë sukses para kampionatit?
E kishim ëndërruar pa disktuim. Por nuk është i rastësishëm. Do ishte naivitet ta mendonit kështu.
Në ç’kuptim nuk është i rastësishëm?
Dua të them se u punua fort për të arritur këto rezultate. Përveç talentit të madh të një sportisti si Daniel Godelli, po ju them se është punuar shumë që të arrihet në një standard të tillë.
Sa shumë është punuar?
Po ju them se ka pasur një punë intensive prej gjashtë muajsh. Sportistët tanë dhe federata kanë qenë maksimalisht të angazhuar për këtë kompeticion dhe më në fund ia dolëm.
Sa e vështirë ishte?
Jashtë mase. Ky ishte kampionati më i egër, sepse edhe rivalët e Godellit vinin në një formë shumë të mirë. Imagjinoni pak, kinezi që ishte kampion bote, kishte parametra të shkëlqyer. Po ju them se nuk ishte aspak e lehtë.
Kujt ia dedikoni këtë sukses?
Daniel Godellit pa diskutim. Është një kampion i madh dhe një njeri i shkëlqyer. I bëri krenarë të gjithë shqiptarët. Por nuk mund të lë pa përmendur edhe Luan Shabanin. Ai ka një kontribut të madh në këtë arritje historike, sepse ai ka punuar prej dy muajsh me sportistët tanë në Greqi. E përsëris, Shabani ka një kontribut shumë të madh. Vetëm një kampion bote si ai mund të na ndihmonte të arrinim në këto nivele. Dua të përgëzoj gjithashtu edhe trajnerin e Godellit, Sokol Bishanakun, që ka bërë një punë të mrekullueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"