Gjici nuk ndryshon mendje as pas dy fitoreve, rrogat i ndan vetëm pas 3 pikëve në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 18, 2017 | 10:59

Gjici nuk ndryshon mendje as pas dy fitoreve, rrogat i ndan vetëm pas 3 pikëve në Gjirokastër

Kukësi arriti të realizojë fitoren e dytë radhazi, e cila i jep dhe qetësinë e munguar skuadrës së drejtuar nga trajneri Milinkoviç. Por, edhe pse ekipi mori 6 pikë në dy takimet e fundit, është presidenti Gjici ai që nuk ka ndërruar mendje sa i përket pagës mujore. Numri një i klubit kërkon që të arrihet synimi i tri fitoreve radhazi pastaj ekipi të marrë rrogat.

gjici milinkovic3

Kështu që fitorja në Gjirokastër është detyrim për kampionët e Shqipërisë. Madje të martën presidenti Gjici mblodhi krerët e klubit, duke filluar që nga stafi teknik dhe deri tek ata administrativë. Takimi nisi në orën 10:00 dhe zgjati rreth 40 minuta, kreu i klubit këtë radhë preferoi barin e klubit jo zyrën e tij. Në takim u diskutua për takimin me Teutën, fitore që jep besim në ambientin kuksian, por Gjici ka kërkuar vazhdimësi.

Ai ka shfaqur pakënaqësi sidomos për repartin e mbrojtjes, pasi ekipi nga rezultati 3-0 pësoi dy gola në pak minuta në fund të ndeshjes, gjë që është shumë e rrezikshme, paçka se skuadra reagoi duke shënuar sërish. Kërkesat e Gjicit për stafin kanë qenë disa: së pari vazhdimësi rezultatesh, së dyti ndërhyrja në problemet e mbrojtjes dhe së treti çështja “Alijev”.

Azeri shënoi dy gola ndaj Teutës, por prapë presidenti kërkon më shumë nga ai, pasi është i bindur te cilësitë e tij dhe është detyra e trajnerit që të nxjerrë në pah vlerat e tij, duhet të lidhet me pjesën tjetër të ekipit. Por, natyrisht që presidenti ka qenë i kënaqur nga fitorja.

TRAJNERI

Ka qenë radha e trajnerit Milinkoviç që të raportojë me detaje për ndeshjen, por edhe për vazhdimin, i cili ka thënë se përgjithësisht është i kënaqur me lojtarët dhe pse me disa mungesa shumë të rëndësishme, kanë arritur që të ngrenë nivelin dhe të kapin ritmin. Sipas tij, këtë e treguan ndaj Teutës.

“Bëmë një ndeshje përgjithësisht të mirë, por kam rezerva për golat e pësuar. Nuk duhet të ndodhte ashtu sepse është e papranueshme që të pësosh dy gola aq shpejt dhe në fund të takimit. Mbrojtja ka probleme sepse pa Shametin ka një hendek, por me kthimin e tij gjithçka do zgjidhet. Gjithsesi, edhe me lojtarët aktualë po punohet që gabimet të neutralizohen.

Ndërsa Alijev presionin që pati duke mos e nisur nga fillimi e përballoi dhe e ktheu në favor të tij, pasi luftoi shumë dhe ia doli. Te Kukësi nuk ka lojtarë të pazëvendësueshëm, kush jep më shumë dhe kush luan më mirë, ai e nis nga fillimi”. Këto kanë qenë ndër të tjera ato çka ka thënë trajneri serb. Sakaq, 49-vjeçari i ka dhënë garanci presidentit se çdo gjë po shkon në rrugën e duhur, pasi duhet dhe pak kohë që lojtarët te kuptojnë dhe implementojnë lojën e tij.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"