Gjermania, në ndjekje të rekordit të Spanjës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2017 | 11:36

Gjermania, në ndjekje të rekordit të Spanjës

Gjermania i ka fituar katër ndeshjet e para të eliminatoreve me golavarazh 16-0. Kampionët e botës i kanë vënë qëllim vetes të arrijnë rekordin e Spanjës në fazën eliminatore të Botërorit 2010, kur i fituan të dhjetë ndeshjet. Këtë sukses gjermanët nuk e kanë arritur kurrë.

Trajneri Joakim Lëv e ka shprehur këtë dëshirë. Gjatë konferencës për shtyp ai ka zbardhur formacionin, si dhe shprehet i bindur për fitore ndaj azerëve.

Lev

Kush do të jetë kapiten në mungesë të Nojerit?

Sami Khedira do të jetë kapiteni ynë në Baku. Lider, shembull në sjellje dhe ndërtimin e lojës, i komunikueshëm, mentalitet fituesi, profesionalizëm. Ky është Sami Khedira.

Si është gjendja fizike e lojtarëve?

Përveç Mesut Ozil, të gjithë janë në formë të mirë fizike. Më duhet të pres ende për Ozilin, pasi ka probleme me shpinën.

Cili do të jetë formacioni ndaj Azerbajxhanit?

Mario Gomez do jetë titullar. Ai mban nën vete mbrojtjen rivale në zonën e rreptësisë. Hëvedes dhe Humels do të jenë në qendërmbrojtje. Kështu e kam planifikuar që para testit ndaj Anglisë. Edhe Rydigerin kam dëshirë ta provoj sërish, pasi herën e fundit nuk mundi dot të ishte. Për portierin do të vendos pas stërvitjes përfundimtare.

Azerbajxhan - Gjermani formacionet

Mendimi juaj për futbollin azer?

Futbolli azer po zhvillohet në përpjesëtim të drejtë me shtetin e tyre. Ata po rriten çdo ditë dhe nga ana taktike janë ndërtuar mirë. Janë të fortë në mbrojtje e nuk pësuan asnjë gol në tri ndeshjet e para. Nuk duhet nënvlerësuar as sulmi i tyre. Atmosfera në Baku do të jetë mjaft elektrizuese. Çdokush do të jetë kureshtar të shohë dhe përballet me kampionët e botës, sidomos një vend i vogël si Azerbajxhani. Unë kam simpati për këtë kombëtare dhe e shoh që kanë shanse të synojnë edhe vendin e dytë.

Sa të rëndësishme janë rezultatet gjatë eliminatoreve?

Është ndeshja e parë eliminatore e vitit. Qëllimi ynë është të fitojmë të gjitha ndeshjet eliminatore. Në këtë formë fitojmë siguri dhe forcojmë pozitat te rivalët tanë. Të paktën deri në verë nuk duhet të lëmë asnjë pikë. Të dielën jam i bindur që fitojmë, sado e vështirë të jetë.

Përgatiti: ENIAR IBRO 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"