Gega: Kam propozuar një listë lojtarësh, nëse vjen Valon Ahmedi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 20:37

Gega: Kam propozuar një listë lojtarësh, nëse vjen Valon Ahmedi…

Skënder Gega i ka ide të e qarta: kërkon një start me fitore në Korçë, në atë që e cilëson si testin e vërtetë për Partizanin. Në konferencën e djeshme për shtyp nga Elbasani, aty ku të kuqtë janë grumbulluar për të përgatitur sfidën me Skënderbeun, trajneri foli për gjithçka, duke filluar nga ndeshja e nesërme, merkato dhe deri te çështja e titullit kampion, që mungon si trofe në klub prej 25 vitesh. Ai pranoi se do në skuadër fantazistin Valon Ahmedi, i cili po bisedon me Mariborin për të prishur marrëveshjen dhe me shumë mundësi do të zgjedhë të kuqtë.

mehmeti gega

Ndeshja e parë me Skënderbeun. Më mirë apo më keq që në start ndaj kampionëve në fuqi?

Është ndeshja e parë dhe ndoshta kundër ekipit më të fortë të këtij pesëvjeçari të fundit. Nuk është se na krijon një trysni të madhe, por është thjesht një test i parë dhe ne jemi përgatitur për këtë gjë. Kemi bërë fazë përgatitore, ndeshje në Europë, disa ndeshje miqësore, një turne në Durrës dhe jemi në momentin më të mirë.

Çfarë përshtypjesh ju la Skënderbeu në Superkupë?

Mendoj që Skënderbeu e ka bazën e ekipit, pavarësisht nga ndryshimet që ka bërë. Prurjet e reja janë lojtarë që mund të bëjnë diferencën. Besoj se duhet respektuar për vetë historinë e tyre. Asnjëherë nuk duhet të shkojmë me idenë që kanë pasur mungesa apo lëvizje të mëdha. Megjithatë, ne duhet të respektojmë veten tonë dhe besoj se jemi gati.

Mendoni se Partizani aktual është më i fortë sesa Skënderbeu?

Nuk mund ta them dot, sepse secili ka parametrat e veta. Pa dalë nga modestia, dua të them se jam jashtëzakonisht i kënaqur me këtë grup lojtarësh që kemi. Besoj se do të kemi një performancë të mirë, sepse jemi përgatitur dhe i kemi të qarta idetë, si ne trajnerët, ashtu edhe ekipi. Uroj dhe shpresoj që të na shkojnë gjërat mirë nesër.

gega (1)

Jeni i kënaqur edhe me një barazim në Korçë?

Si natyrë që jam, nuk para jap parashikime, sepse futbolli i ka të tria rezultatet brenda. Ne do të mundohemi të marrim maksimumin dhe pretendimet tona janë shumë lart, për vetë historinë, vetë klubin. Unë personalisht kam dëshirë ta nis me një sukses, ashtu si edhe djemtë.

Ka diçka që ju shqetëson para kësaj ndeshjeje?

Asgjë, shqetësimi është sa të fillojë loja. Ditët e para kam pasur shqetësime, ndoshta me lojtarët, mentalitetin apo frymën që donim të sillnim. Ditët e para ishin presione të brendshme, të cilat janë normale në futboll. Por, sot jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe çdo gjë është sheshuar. Këtë punë që kanë bërë në stërvitje, uroj që djemtë ta shfaqin në Korçë.

Si është gjendja e Mensah, do të jetë titullar?

Nuk mund të them se si do të dalim në fushë, ajo është pjesë e planit të ndeshjes. Mund të jetë nga starti, por edhe nga pjesa e dytë, por do ta shohim në seancën e fundit.

Është përmendur titulli gjithnjë si objektiv, por këtë sezon sikur nuk po ndodh. I keni marrë gjërat më shtruar?

Mendoj që jemi në rrugë të drejtë, ndryshe nga sezoni i kaluar që ju e dini, ku është bërë shumë merkato, kanë ardhur emra dhe njerëz të mëdhenj në klub. Sot besoj se zhurma është më e vogël, puna po bëhet shumë më mirë dhe jam i kënaqur me këtë grup. Nuk është se kemi presion nga drejtuesit që duhet të dalim kampion.

Gega

Personalisht e shoh kampionatin si një sfidë të gjatë, ku çdo javë duhet të marrim maksimumin dhe objektivat vijnë duke u konsoliduar. Mosmarrja e titullit prej shumë vitesh nuk është presion, por dëshirë te ne dhe këtë duhet ta bashkojmë me punën. Lojtarët janë të bindur për atë që duam dhe çfarë qëllimi kemi. Do ia lëmë kohës.

Si po shkojnë bisedimet me Valon Ahmedin?

E kam trajnuar Valonin kur drejtoja Kombëtaret U19 dhe U-21. Është një djalë që ka të dhëna të mira. Unë e kam shprehur dëshirën dhe ai e di shumë mirë. Edhe kur ishim në Tiranë, unë e kam takuar, jo për këtë qëllim, por për t’u përshëndetur me njëri-tjetrin, sepse kemi punuar bashkë. Më vonë mora vesh se ka dëshirë, por është në dorë të klubit tani. Ka shumë faktorë dhe arsye që një lojtar mund të afrohet. Është një marrëveshje midis lojtarit dhe klubit, por unë teknikisht do të jem në gjendje ta jap një mendim të qartë, sepse e njoh personalisht dhe nëse vjen është një plus shumë i madh për ekipin.

Skuadra ka nevojë për përforcime apo jeni i kënaqur edhe me këtë grup?

Në Korçë është testi i parë dhe i vërtetë për ne. Nuk besoj se ka diferenca të mëdha të asaj që ne kemi bërë deri më sot dhe ndeshjes nesër, përveç reagimit karshi rezultatit, por me këta që janë sot besoj se do të arrijmë larg, pasi po stërviten mirë. Kemi qenë me fat se nuk kemi pasur dëmtime dhe po mundohemi që të ingranojmë Mensah dhe Hebajn që të jenë në 100 për qind. Nëpërmjet stërvitjeve dhe ndeshjeve ato do të vijnë shumë shpejt në formë. Pjesa tjetër kanë kohë bashkë dhe besoj se gjërat do të shkojnë shumë mirë.

Prisni ndonjë gjë ende nga merkato?

Patjetër, deri më datë 31 do të presim. Është një grup lojtarësh që unë ia kam propozuar klubit, shumë prej tyre kanë ndryshuar në momentin e fundit, për arsyet e tyre, ndoshta pagesa apo mënyra e kontratës. Po punohet, sot nuk them dot gjë, sepse shumë gjëra që dalin para se të përfundojnë, prishen në momentin e gabuar. Nuk është se nuk jemi të kënaqur nga këto që kemi, por po të kesh më shumë numër lojtarësh me të njëjtin kualitet më mirë është, pasi do të përballojnë një kampionat të gjatë.

VLADIMIR MEMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"