Gatuzo para Kaljarit: Në sulm jemi pak, por kemi “nevrikun” Higuain. Bakajoko të luajë… gjuhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2018 | 19:23

Gatuzo para Kaljarit: Në sulm jemi pak, por kemi “nevrikun” Higuain. Bakajoko të luajë… gjuhën

Një Milan fizik, i kujdesshëm dhe i aftë për të vuajtur kur historia e takimi ta kërkojë: është ky profili i “Djallit” që Xhenaro Gatuzo kërkon të shohë sot (20:30) në Kaljari, ku djemtë e tij do të rinisin rrugëtimin e tyre në kampionat, me objektivin për t’u dhënë vijimësi rezultateve pas fitores kundër Romës. “Përballemi me një skuadër që di si të qëndrojë në fushë dhe nuk pëson lehtë. Duhet të vijojmë rrugën e nisur me fitoren e fundit. Ka disa aspekte të lojës tonë që nuk janë aty ku duhet”, shpjegoi Gatuzo në konferencë për shtyp, duke shtuar se:

“Pavoleti është një nga sulmuesit më të fortë të Serisë A, ndaj asnjë kundërshtar nuk duhet lejuar të krosojë në zonë. Nëse do të jetë nevojshme, do të na duhet të tregohemi solidë dhe të demonstrojmë me fakte se e kemi përgatitur më së miri këtë takim. Zakonisht nuk punoj siç dëshiroj kur lojtarët shkojnë me kombëtaret, sepse kështu humb kontaktet me djemtë e mi. Do të kisha dashur të bëja ndonjë eksperiment më shumë, sepse më pëlqen kjo pjesë e punës sime, por bëhet e vështirë kur nuk i kam të gjithë në dispozicion”.

gatuzo

Liderët – Në “Sardenja Arena” do të rinisë gjithçka nga 4- 3-3-shi, edhe pse sipas Gatuzos është e vështirë të zgjidhen titullarët sepse siç shpjegoi Rino: “Të gjithë po impenjohen maksimalisht në çdo stërvitje dhe po më japin përgjigje të mira. Tashmë do të luajmë çdo tri ditë, por nuk është se ndihem i frikësuar”. Vendin e sigurt nuk e kanë të gjithë, por ndër titullarët me siguri do të jetë Xhanluixhi Donaruma, për të cilin Rino deklaroi: “Nga Xhixho pres shumë dhe mendoj se mund të përmirësohet edhe më shumë. Nëse ia vë veshin Reinës, jam i bindur se do të ketë rezultate”.

Edhe Higuain duket se do ta nisë sfidën e sotme nga minuta e parë. Për Argjentinasin, tekniku 40-vjeçar i Milanit tha: “Në miqësoren kundër Pro Piaçencës pati 4-5 raste, por nuk shënoi. Kur mbaroi ndeshja më dukej njeriu më i nevrikosur në rruzull. Gonzalo është një kampion i madh, e duan të gjithë dhe jep sinjale koherence në çdo stërvitje”. “El Pipita” pret të zhbllokohet, por nuk është i vetmi lider në ekip, me Romanjolin që për Gatuzon: “Është rritur shumë, edhe sepse Reina në pak kohë diti të forcojë grupin. Nga kjo pikëpamje, një vit më parë Bonuçi na ndihmoi shumë dhe mendova se largimi i tij do të na hapte probleme, por Pepe dhe Gonzalo po tregohen fantastikë”.

Të rinjtë – Mungesa e Patrik Kutrones nxjerr në pah pakicën e pykave te Milani. Gatuzo nuk shqetësohet, teksa shpjegoi: “Patrikun shpresoj ta kem në Europë, por edhe nëse nuk ia del, mund të luajmë me 9-shin fals. E kishim planifikuar këtë problem edhe gjatë merkatos. I njëjti diskutim vlen edhe për Bilian, atë mund ta zëvendësojnë Mauri ose Bertolaçi, por edhe Bakajoko, i cili ka nevojë edhe për pak kohë ambientimi. Nuk flet italisht dhe kjo e penalizon, ndaj përveç këmbëve duhet të punojë edhe me gjuhën”. Nga një i ri, tek një tjetër, me Kaldarën që mesa duket nuk do të jetë as sot titullar. “Ai e di se çfarë duhet të bëjë dhe të gjithë ia njohim vlerat. Vjen nga një kulturë tjetër futbollistike dhe nuk do të ishte shumë e zgjuar nga ana ime ta ngarkoj menjëherë me përgjegjësi. Po pres që të vaisim si duhet mekanizmat për ta aktivizuar”, shpjegoi Gatuzo.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"