Garë e fortë për 11-shen/ Martini surprizon me zëvendësuesin e Kallakut, ja kujt pritet t’i besojë rolin e numrit 10

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 24, 2020 | 10:16

Garë e fortë për 11-shen/ Martini surprizon me zëvendësuesin e Kallakut, ja kujt pritet t’i besojë rolin e numrit 10

Teuta është gati, e vetmja gjë që pret tashmë është nisja e kampionatit. Faza e stërgjatë përgatitore e ka ndihmuar skuadrën që jo vetëm të kolaudohet dhe prurjet e reja të përshtaten, por edhe të vendosë pikat mbi “i” sa i përket formacionit. Edi Martini mundohet që të “fshehë” titullarët, megjithatë tashmë 11- shja ka marrë formë.

Edi Martini

Gjatë seancës së zhvilluar dje, trajneri punoi ndjeshëm taktikisht. Skuadra u vendos në kushte loje, por duke u ushtruar më shumë në qarkullimin e topit në distanca të ngushta apo situatave të kundërsulmit aktiv e pasiv.

Bregu Teuta

RRESHTIMI – Nëse prapavija është e konsoliduar me Arapin dhe Hoxhën në qendër dhe Kuron e Todorovskin nga krahët, disa paqartësi të vogla lidhen me repartin e avancuar. Dyshja përpara mbrojtjes kërkon patjetër “regji” dhe Teuta i ka lojtarët që mund ta bëjnë këtë. Avdyli me Aleksin janë më të favorizuar, ndonëse skuadra është forcuar në këtë merkato me emra si Karabeci apo Daja.

Teuta

Në mesfushë ka një “rebus”, ndonëse të paktën për javën e parë pritet që të rreshtohen Vilat në krahë, Emiljano djathtas e Enco majtas. Risia vjen në qendër, aty ku pritet që të luajë një nga blerjet më të bujshme të kësaj vere: Dejvi Bregu. Vlonjati po projektohet si zëvendësuesi i Sherif Kallakut. Ai, edhe pse është provuar në krahë në disa testuese, duhet thënë që preferohet më së shumti në qendër të mesit të fushës ose e thënë ndryshe më pranë sulmit. Lojtari po përshtatët në rolin e ri, ndonëse si te Luftëtari dhe Skënderbeu është përdorur në krahë.

Dejvi Bregu

Por, nuk përjashtohet as mundësia që ai të spostohet në pozicionin e tij natyral dhe E.Vila të zhvendoset pas “pykës”. E megjithatë, këto janë dilemat që do të marrin zgjidhje në vazhdim. Kujtojmë që 24- vjeçari në miqësoren ndaj Partizanit ishte pas Hebajt dhe kishte detyrë të jepte pasin e fundit, gjithsesi deri në startin e kampionatit gjithçka mund të përmbyset.

Në sulm ka emra si Hebaj e Krasniqi, por më “i favorizuar” për momentin është shkodrani. Me kavajasin që vetëm dje ka nisur vrapin, me një nisje të sezonit javën e ardhshme do të jetë Rubini në majë.

PËRGATITJET – Teuta dje ka zhvilluar një seancë me intensitet të lartë në “Olympic Park”. Pas dore nuk u lanë ushtrimet fizike dhe ato tekniko-taktike në terren, si edhe një minindeshje brenda grupit. Stafi teknik e ndau në dysh skuadrën dhe ra në sy loja e fortë.

Të gjithë futbollistët kërkojnë një vend titullari dhe po mundohen t’ia mbushin mendjen Edi Martinit, që ata janë të duhurit për 11-shen. Durrsakët kanë shfrytëzuar çdo ditë të ndërprerjes së kampionit për të arritur perfeksionin. Fokusi është hedhur te Skënderbeu, ndonëse ende nuk kanë një datë se kur do të luhet java e parë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"