FSHF “masakron” klubet, i detyron të luajnë 4 ndeshje brenda 10 ditëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2017 | 10:13

FSHF “masakron” klubet, i detyron të luajnë 4 ndeshje brenda 10 ditëve

Shqipëria ishte vendi i fundit që nisi aktivitetet sportive për sezonin e ri, pikërisht më 9 shtator. Media ka qenë e vetmja që ka kritikuar nisjen me vonesë të sezonit të ri, ndërsa klubet u treguan miopë duke shikuar vetëm përfitimin e momentit, pasi edhe ata e nisën vonë punën përgatitore. Por, pasojat e kësaj vonese në start klubet do t’i paguajnë tani, ku vetëm në 10 ditët e ardhshme duhet të luajnë 4 ndeshje.

partizani kukesi

Pushimi që përfituan nga ndeshjet e ekipeve kombëtare pritet që t’u dalë “për hundësh” klubeve, pasi muaji tetor u ofron një kalendar të ngjeshur. Shpresohet që kjo ngjeshje kalendari të mos ndikojë edhe te terrenet sportive, pasi te lojtarët pritet të ndihet, sepse i tillë është niveli i futbollit shqiptar.

Në kuadrin e 10 ditëve, 12 tetor-22 tetor, klubet janë të detyruara që të përballojnë 4 ndeshje, ku tre janë për kampionat, ndërsa në mesjavën tjetër luhet turi i dytë i Kupës së Shqipërisë. Nesër luhet java e pestë e Kategorisë Superiore, ndërsa të dielën e 15 tetorit parashikohet të luhet java e gjashtë e kampionatit.

Të mërkurën e 18 tetorit, kalendari parashikon zhvillimin e ndeshjeve të para të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, me përjashtim të Skënderbeut, që një ditë më pas luan ndeshjen e tretë në grup për Ligën e Europës ndaj Partizan Beograd. Më 22 tetor, zhvillohet java e 7-të e Superiores.

Aktualisht të gjitha ekipet e superiores raportojnë se kanë probleme dëmtimesh, kështu që ngjeshja e kalendarit është një “armik” më shumë për klubet. Në 16 ditët e fundit të tetorit, klubet janë të detyruara të zhvillojnë ndeshje, me një mesatare, një takim në tri ditë. Kjo është periudha ku dalin në prag përgatitjet fizike që kanë klubet shqiptare.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"