FORMULA 1/ Synon të fshijë vitin e parë të karrierës pa fitore, Hamilton kthesë dhe rekorde në Botërorin 2023

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2023 | 22:00

FORMULA 1/ Synon të fshijë vitin e parë të karrierës pa fitore, Hamilton kthesë dhe rekorde në Botërorin 2023

Për Luis Hamiltonin ishte një 2022-sh i varfër në emocione. Asnjë fitore në pistë (diçka që nuk kishte ndodhur më parë në karrierën e tij) dhe një Mercedes në vështirësi të dukshme për tre të katërtat e sezonit.

Lewis-Hamilton-saluta-tennispress.it-20230204

Por këtë vit anglezi shpreson për një “W14” konkurruese me Kampionatin Botëror të Formulës 1 në prag (fillon më 5 mars në Bahrejn) dhe pret me padurim testet e para, përsëri në Sakhir, midis 23 dhe 25 shkurtit. Botërori 2023 ofron shumë sfida për shtatë herë kampionin e botës, i cili ka rrethuar rekordet që synon t’i thyejë gjatë këtij viti. Le të zbulojmë se cilat janë ato.

TITULLI I TETË PËR TË KALUAR SHUMIN I gatshëm për të rinovuar me Mercedesin deri në moshën 40-vjeçare, Luis ka një qëllim të qartë në mendje: të fitojë titullin e tetë që do ta bënte të kalonte Majkëll Shumakerin, me të cilin ndan rekordin si shtatë herë kampionë në Formula 1. Shumi fitoi dy tituj me Benton në 1994 dhe 1995, përpara epokës së artë me Ferrarin nga viti 2000 deri në 2004-ën. Nga ana tjetër, Hamilton fitoi titullin e tij të parë në vitin 2008 me MekLaren, përpara se të niste “diktaturën” e gjashtë titujve me Mercedesin mes viteve 2014 dhe 2020. Megjithatë, me përjashtim të vitit 2016, kur në fund të GP-së së fundit të Abu Dhabit, fitoi rivali i ekipit, Niko Rozberg, i cili më pas vendosi të tërhiqej nga garat.

VËMENDJE HUNGARISË DHE ANGLISË Por Hamilton në këtë sezon mund të thyejë edhe rekordin për më shumë fitore në të njëjtin Çmim të Madh. Numri 44, në fakt, regjistron tetë triumfe si në garën e Hungarisë, ashtu edhe në shtëpinë e tij në Silverston. Shumaker është aktualisht pranë tij, pasi ka arritur po aq suksese në Çmimin e Madh të Francës në Manji-Kurs. Tashmë me një fitore në Hungaroring apo në Britaninë e Madhe, Hamilton do të kryesonte edhe në këtë renditje.

“POLE POSITION” NË TË NJËJTËN PISTË Nuk janë në mes vetëm rekordet për fitoret në të njëjtin GP apo titujt e fituar në karrierën e tij. Hamilton në fakt mund të thyejë edhe rekordin për më shumë “pole position” në një garë të vetme. Britaniku numëron tetë “pole” në GP të Australisë dhe në Hungari. Kështu që nëse Luis zë vendin e parë në kualifikuese dhe merr gjithashtu edhe fitoren në garën në Hungaroring, ai do të marrë rekordin e dyfishtë në të njëjtën fundjavë. Në krah të tij, në rekordin e më shumë “pole position” në të njëjtën pistë në një GP të vetme, janë sot legjendat Airton Sena dhe Majkëll Shumaker. Braziliani këtë shifër e arriti në Imola (të shtunën e kishte në vitin 1994, kur më pas humbi jetën tragjikisht të dielën), ndërsa ish-piloti gjerman në Japoni.

FITOREN E PARË PAS 300 GARAVE Për më tepër, Hamilton mund të jetë gjithashtu i pari në renditjen e pilotëve me të paktën një GP të fituar pas 300 garave në karrierën e tij. Kështu që një triumf do ta bënte pilotin e vetëm që ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit pas 300 prezencave në F1. Anglezi deri më tani ka konkurruar në 310 “Grand Prix”, por i fundit i fituar ishte në Xhedah në vitin 2021 (gara e 287-të në karrierë për të). Një rekord ky që mund të ndiqet edhe nga Fernando Alonso (pjesëmarrës në 359 GP deri më tani), edhe pse për spanjollin nuk do të jetë e lehtë të fitojë një garë me Aston Martin që nuk shihet si një makinë në gjendje për të luftuar me më të mirët.

PODIUMET E NDARA Një rekord kurioz, ku Hamilton tashmë shkëlqen, por mund të bënte edhe më mirë. Anglezi, së bashku me Sebastian Fetel (i cili i tha lamtumirë Formulës 1 në fund të vitit 2022), kryeson për sa i përket numrit të podiumeve (56) të ndara së bashku me një pilot tjetër. Një numër që mund të kalohet nga dyshja HamiltonVershtapen, që numërojnë aktualisht 52 podiume të përbashkëta. Në vend të kësaj, është më e vështirë që rekordi të mposhtet nga ish-dyshja e Mercedesit, Hamilton-Botas (tani në Alfa Romeo), e mbërthyer në 53.

TRIPLETAT QË MBAN SHUMI Një tjetër rekord që Hamilton mund të përpiqet të arrijë dhe të kalojë, megjithëse nuk është aspak i lehtë me një Red Bull të frikshëm dhe me një pilot si Maks Vershtapen, është numri i tripletave (“pole position”, fitore në garë dhe xhiro më e shpejtë në garë) të arritura në karrierën e tij. Britaniku i Mercedesit ka ngecur në kuotën 19, kundrejt 22 të Majkëll Shumakerit dhe 11 të Xhim Klark. Hera e fundit që Luis arriti këtë sukses ishte në Çmimin e Madh të Arabisë Saudite 2021. Ndërkohë, në renditjen alternative me “poker” (“pole”, fitore, xhiroja më e shpejtë e garës dhe kryesim nga fillimi në fund), ky rekord mbahet nga Xhim Klark, i cili e ka shënuar 8 herë këtë arritje. Ndërsa Hamilton e ka regjistruar 6 herë këtë rezultat (për herë të fundit në Abu Dabi 2019), pra një tjetër rekord i arritshëm në vitin 2023.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"