FORMULA 1/ Nga Luis Hamilton te Shiron, “ustallarët” më të vjetër në timon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 10, 2024 | 17:11

FORMULA 1/ Nga Luis Hamilton te Shiron, “ustallarët” më të vjetër në timon

Vetëm tri ditë më parë, Luis Hamilton mbushi 39 vjeç, ndërsa jetëgjatësia e tij në nivelet më të larta në Formula 1 vijon të jetë vërtetë mbresëlënëse. Britaniku po përgatitet të zhvillojë sezonin e tij të 13-të me Mercedesin, me të cilin ka rinovuar kontratën edhe për dy kampionate të tjera, me shtatë herë kampionin e botës që do ta nisë kampionatin si 40-vjeçar në vitin 2025.

LUIS SHIRON

Një moshë e jashtëzakonshme për një sportist. Megjithatë, Hamilton nuk është i vetmi “përbindësh” i jetëgjatësisë në pistë, sepse aktualisht në F1 vijon të garojë një tjetër legjendë, Fernando Alonso, katër vjet më i madh, i cili do të mbushë 43 vjeç në korrik 2024. Por duke iu referuar historisë së Formulës 1, ka pasur pilotë që kanë zbritur në pistë në moshë akoma edhe më të madhe, ndërsa në ju prezantojmë me top-5 e “ustallarëve” më të vjetër në timon.

ADOLF BRUDES – Në top 5 të pilotëve më të vjetër që kanë marrë pjesë në një Çmim të Madh të Formulës 1 është Adolf Brudes. Gjermani, ekspert në garat e qëndrueshmërisë si 24 orët e Lë Manshit, doli në pistë në një garë të vetme në moshën 52 vjeç, 9 muaj e 19 ditë. Ishte Çmimi i Madh i Gjermanisë i vitit 1952. Kjo garë nuk ishte një përvojë e paharrueshme për të, sepse Brudes u tërhoq pas pesë xhirosh për shkak të një problemi në motorin e njëvendëshes së tij.

LUIXHI FAXHOLI – Piloti më i vjetër italian që është paraqitur në Startin e një gare në Formula 1 është Luixhi Faxholi. Në vitin 1951, në Çmimin e Madh të Francës, Faxholi garoi në moshën 53 vjeç e 22 ditë. Ajo ishte një ditë e paharrueshme për të, pasi në timonin e Alfa Romeos, Faxholi mori fitoren e tij të parë dhe të vetme në F1, duke arritur një objektiv që i ishte afruar vetëm në sezonin paraardhës. Pavarësisht se ishte i treti, në fakt, ai kishte arritur katër vende të dyta.

ARTUR LEGAT – Në vendin e tretë në klasifikimin e më të moshuarve në Formula 1 pozicionohet Artur Legat. Piloti belg mori pjesë vetëm në dy gara, e fundit prej të cilave ishte eventi i shtëpisë, Çmimi i Madh i Belgjikës 1953. Ai ishte 54 vjeç, 7 muaj e 20 ditë. Megjithatë nuk ishte një ditë për t’u kujtuar, pasi ai u tërhoq menjëherë për shkak të një problemi me transmisionin. Ai vdiq në vitin 1960.

FILIP ETONSELË – Piloti francez ka marrë pjesë në një garë të Formulës 1 në moshën e jashtëzakonshme prej 55 vjeç, 6 muaj e 8 ditë. Kjo ishte mosha e tij në Çmimin e Madh të Francës në vitin 1952, event në të cilin Etonselë u rendit në vend të tetë në timonin e Masaratit. Ekspert në garat e qëndrueshmërisë, siç tregohet nga fitorja e tij në 24 Orët e Lë Manshit në vitin 1934, francezi është piloti më i vjetër që ka marrë pikë në një garë të Formulës 1, me vendin e pestë në Monza.

LUIS SHIRON – Piloti më i vjetër që ka marrë pjesë në një Çmim të Madh të Formulës 1 është Luis Shiron. Në garën e Monakos në vitin 1955, piloti monegask zbriti në pistë në moshën 55 vjeç, 9 muaj e 19 ditë. Në timonin e makinës Lançia, ai arriti ta përfundonte garën në vendin e gjashtë. Ndërsa rezultati më i lartë në karrierë në F1 për Shiron është vendi i tretë në Monte Karlo në vitin 1950. Paraqitjet e tij ishin të shumë të mira edhe në garën “Mille Miglia” me Ferrarin.

alonso hamilton

TOP5

ARTIN LLESHAJ -PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"