“Fluturon” Tirana, gola dhe spektakël ndaj Apolonisë. Magani: S’duhet të shpërdoronim

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 25, 2014 | 15:05

“Fluturon” Tirana, gola dhe spektakël ndaj Apolonisë. Magani: S’duhet të shpërdoronim

Bakaj ka shenuar ne Tirana-Apolonia 3-0TIRANA-APOLONIA 3-0
GOLAT: Bakaj 23′, Ndikumana 57′, Hyshmeri 91′
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Curri, Muça, Idrizaj (Hyshmeri 82′), Karabeci, Bulku, Ndikumana, Bakaj, Morina (Malaj 67′), Bushiç (Kagere 55′); Trajner: G.Magani.
APOLONIA: Cakoviç, Broshka, Atanda, Nako, Prifti, Gërxho (Rajkoviç 68′), Erkoçeviç, Dosti (Hysenshahaj 56′), Karakaçi (Mitraj 59′), Xhorxheviç, Canka; Trajner: E.Demiraj.
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
DELEGAT: Denis Bastari (Tiranë)
KARTONË TË VERDHË: Curri 39’/ Canka 39′, Hysenshahaj 64′
GJYQTARET: A.Koci, F.Lama, E.Velo (Durrës)

MINUTAT
4′ Erkoçeviç rrezikon nga distanca, pret Frashëri.
5′ Morina kombinohet me Bushiçin dy herë, por topi i gjuajtur nga kroati bllokohet prej mbrojtjes mike.
6′ Kundërsulm i shpejtë i Apolonisë, Canka futet në zonë, gjuan, por Frashëri largon me këmbë edhe pse me vështirësi.
7′ Goditje këndi, gjuan Karabeci, grushton Cakoviç.
8′ Bakaj kroson në zonë, Curri në pozicion nuk e dërgon dot topin në rrjetë.
13′ Bakaj nxjerr të lirë Ndikumanën, i cili, në ecje e sipër gjuan, por shumë mbi tra.
20′ Bulku pason për Ndikumanën, sulmuesi gjuan, por topi ndalet nga mbrojtja mike. Pretendohet për prekje me dorë, por gjyqtari nuk mendon kështu.
23′ Morina i jep një asist perfekt Bakajt, i cili s’e ka të vështirë që me të djathtën ta dërgojë topin në rrjetë dhe 1-0.
30′ Karabeci kombinohet me Ndikumanën, i cili gjuan me të majtën, por topi i tij prek vetëm rrjetën e jashtme.
37′ Ndikumana pason te Morina, i cili gjuan, por pa rrezik.
42′ Tentativë e Karakaçit, por vetëm jashtë kuadratit.
43′ Bushiç shpërdoron. Ndikumana i jep një kros perfekt, por kroati, edhe pse i vetëm përballë portierit, e çon atë jashtë.
48′ Kërçiku kthen bukur një top për Bushiç, i cili avancon në zonë, gjuan, topi kalon në mes të këmbëve të portierit, por përfundon vetëm jashtë.
57′ Karabeci pason te Ndikumana, i cili ndodhej në majtë. Sulmuesi godet dhe gol, 2-0.
62′ Ndikumana jep një top për Bakajn, që gjuan, por mbi tra.
69′ Ndikumana bën gjithçka mirë, merr krahun, afrohet në zonë, gjuan, por topi shkon vetëm pak mbi traversë.
72′ Ndikumana avancon në zonë, pason te Bakaj, i cili gjuan, por Cakoviç largon me këmbë rrezikun.
81′ Mitraj kthen një top për Cankën, që ka rastin e artë për të ngushtuar shifrat, gjuan, por e ndal shtylla.
84′ Goditje dënimi, gjuan Bulku, pret Cakoviç.
91′ Kagere merr krahun, pason te Hyshmeri që ndodhej në krahun tjetër, mesfushori ka kohën e nevojshme të kontrollojë topin, gjuan dhe rrjetë, 3-0.
92′ Kërçiku pason për Bakajn, i cili gjuan, por topi shkon vetëm ngjitur me shtyllën pingule.
94′ Malaj pason te Bakaj, por mbrojtja mike neutralizon rrezikun.

Tirana merr tri pikët e para dhe kap kreun. Bardheblutë kanë fituar 3-0 në start përballë Apolonisë mike, në një ndeshje ku nuk mungoi spektakli, golat, si edhe rastet e humbura. Bakaj dhe Hyshmeri debutuan me gol, por krahas tyre shënoi edhe Ndikumana. Tre gola përballë një Apolonie, e cila rezistoi për minuta me radhë dhe i vuri jo pak në vështirësi “milionerët” kryeqytetas. Nën praninë e afro 6 mijë tifozëve, shkëlqyen jo vetëm yjet e ardhur nga merkatoja e verës, por edhe lojtarët që mbyllën sezonin e fundit. Ky 90-minutësh dëshmoi supermacinë e kryeqytetasve, të cilët këtë vit synojnë me çdo kusht titullin kampion.
Pjesa e parë Takimi nisi vrullshëm dhe me sulme e kundërsulme të shpejta në të dyja kampet. Fierakët që në të 4-n rrezikojnë, teksa Erkoçeviç gjuan nga distanca, por pret Frashëri. Vendësit kundërpërgjigjet një minutë më pas, teksa Morina kombinohet me Bushiçin dy herë, por topi i gjuajtur nga kroati bllokohet nga mbrojtja mike. Rasti më flagrant ishte ai i minutës së 6-të, teksa Canka futet në zonë, gjuan, por Frashëri largon me këmbë edhe pse me vështirësi. Megjithatë, me kalimin e minutave, Tirana merr kontrollin dhe këtë e shfaq duke vizituar më shpesh portën mike. Shpërdorohet pa fund, teksa Bakaj, Curri, Karabeci e Ndikumana kanë rastet e tyre, por nuk e gjejnë dot rrjetën. Megjithatë, këmbëngulja e Tiranës gjen rezultat në të 23-n. Morina i jep një asist perfekt Bakajt, i cili s’e ka të vështirë që me të djathtën ta dërgojë topin në rrjetë dhe 1-0. Ky gol çon peshë të gjithë stadiumin, por bardheblutë nuk mund të kënaqeshin me kaq. E për pasojë tentativat vazhdojnë, në të 30-n Karabeci kombinohet me Ndikumanën, i cili gjuan me të majtën, por topi i tij prek vetëm rrjetën e jashtme. Në të 43-n Bushiç humb një rast fatal. Ndikumana i jep një kros perfekt, por kroati, edhe pse i vetëm përballë portierit, e çon atë jashtë. Ky fraksion mbyllet me fitoren minimale të bardhebluve.
Pjesa e dytë Pjesa e dytë nis pa ndryshime në të dyja kampet. Panorama e lojës edhe në këto minuta është e njëjta, Tirana që krijon dhe Apolonia që përpiqet. Në të 48-n Kërçiku kthen bukur një top për Bushiç, i cili avancon në zonë, gjuan, topi kalon në mes të këmbëve të portierit, por përfundon vetëm jashtë. Magani kryen disa lëvizje, teksa u jep minutat edhe blerjeve të reja që kishte të gatshëm në stol. Goli nuk vonon, pasi në të 57- n dyfishohen shifrat. Karabeci pason te Ndikumana, që ndodhej në majtë, sulmuesi godet dhe gol, 2-0. Kapiteni i Kombëtares së Burundit dëshmoi se po kalon një formë të mirë dhe shumë raste vijnë nga këmbët e tij. Në të 62-n ai i jep një top për Bakaj, që gjuan, por mbi tra. Pas 4 minutash Ndikumana bën gjithçka mirë, merr krahun, afrohet në zonë, gjuan, por topi shkon vetëm pak mbi traversë. Apolonia në të 81-n mund të kishte ngushtuar rezultatin. Mitraj kthen një top për Cankën, që ka rastin e artë për të ngushtuar shifrat, gjuan, por e ndal shtylla. Kur po pritej fundi, në 91-n vjen edhe radha e Hyshmerit. Kagere merr krahun, pason te mesfushori që gjuan dhe 3-0. Në sekondat e fundit Bakaj mund të shënonte sërish, por topi shkon vetëm ngjitur me shtyllën pingule. Tirana merr kështu fitoren e parë në kampionat dhe 3 golat e shënuar i japin bardhebluve kreun në renditje, falë golavarazhit më të mirë se kundërshtarët.

MË I MIRI
Tirana në kompleks meriton notë pozitive. Por ndër të tjerë mund të veçohet Elis Bakaj, i cili ishte lojtari që bëri diferencën në fushë. Ai jo vetëm shënoi, por edhe krijoi pa fund, ndonëse fati i hoqi të drejtën që të prekte sërish rrjetën. Pas nuk mbeti as Ndikumana, i cili qe protagonist në disa episode. Sulmuesi nga Burundi po kalon një formë të mirë fizike.

MË PAK AKTIVI
Krijuan dhe patën raste të pastra shënimi, por nuk ditën ta dërgonin topin në rrjetë. Sulmi i Apolonisë e vuri disa herë në provë portierin Frashëri, por vetëm kaq. Mikel Canka kishte dy raste flagrante, por nuk arriti t’i dërgonte në rrjetë. Në të njëjtin nivel ishte edhe Tomislav Bushiç, i cili, përtej përpjekjeve, nuk arriti që t’i shfrytëzonte rastet që iu ofruan.

Magani firmos kontraten“Fitore me vlera, por nuk duhet të shpërdoronim”
Gugash Magani në fund të takimit i kënaqet fitores, por qan rastet e humbura. “Ishte ndeshje e rëndësishme për ne, pasi ishte edhe e para e kampionatit. Fituam dhe kjo është e rëndësishme, ndonëse më duhet ta pranoj se në fillim pata pak frikë, pasi u aktivizuan shumë lojtarë që kanë ardhur rishtas dhe ata ende s’e njohin mirë me njëri-tjetrin. Apolonia ishte me djem të rinj, që ditën jo vetëm të prodhonin lojë, por na vunë disa herë në vështirësi në dhjetë minutat e para të ndeshjes. Sakaq, ne shënuam tri herë, por edhe shpërdoruam shumë raste, pjesë që duhet ta përmirësojmë në vazhdim. Kjo pasi ligji i pashkruar i futbollit mund të na ndodhte edhe sot, ndaj është diçka që nuk duhet të përsëritet më herë tjetër. Megjithatë, e mira është që ne jemi të gjithë një grup dhe që nuk kemi aspak hatërmbetje, për gjithçka që ndodh. Jemi në krye dhe dihet që ne jemi ndërtuar për të dalë kampion. Por, kjo nuk do të thotë që kjo ndeshje është tregues. Pasi, për hir të së vërtetës, në fushë ishin dy skuadra me diferenca të mëdha. Një Apoloni me djem të rinj dhe me një Tiranë që ka 18 lojtarë që mund të luajnë pa frikë në formacion. Ditët në vazhdim do të tregojnë edhe për këtë gjë, pasi do të përplasemi edhe me rivalët me të cilët do të rivalizojmë deri në fund të sezonit”, tha fillimisht Magani. Më tej, ai e quan të mbyllur merkaton, teksa deklaron: “Ne tashmë jemi të kompletuar, por ka ndodhur edhe që në ndeshjet e para të ketë edhe dëmtime që fatmirësisht ne nuk kemi pasur asnjë të tillë. Tashmë do të shohim përpara, për të marrë ndeshjet njëra pas tjetrës. Vend për përmirësime kemi shumë, por fituesi nuk gjykohet”.

Ndikumana“Nëse vijojmë kështu, Ndikumana nuk na ndal askush”
Selemani Ndikumana është i kënaqur me golin, por për të më shumë vlerë kanë pikët. “Ndihem shumë mirë që kam shënuar që në ndeshjen e parë, gol të cilin ia dedikoj djalit tim. Është një emocion i madh, pasi edhe skuadra fitoi. Është një fitore që shijon edhe për shkak të rezultatit. Nëse vijojmë kështu, s’na ndal kush. Goli shijon gjithnjë, por për mua nuk ka rëndësi firma, po triumfi. Titulli është shumë larg. Ne duhet të mendojmë për ndeshjen tjetër dhe, nëse e bëjmë mirë këtë gjë deri në fund, atëherë do të vijë dhe titulli. Flamurtari është kapitull i mbyllur për mua. E shkuara mbetet pas dhe këtë vit është një tjetër sezon dhe një ndeshje e dytë për ne ndaj tyre. Unë jam i përkushtuar për ndeshjen e radhës dhe s’mendoj për asgjë që ka ndodhur dhe për asgjë që mund të ndodhë në të ardhmen. Duhet të stërvitemi gjatë javës për këtë ndeshje dhe më pas do të shohim se çfarë do të mund të arrijmë”, tha sulmuesi. Kur pyetet se sa gola do të shënojë, ai thotë: “Unë nuk mund të bëj premtime. Ajo që dua, është që të fitojmë çdo ndeshje. Unë do bëj maksimumin që të fitojmë dhe nuk më intereson edhe nëse skuadra fiton me ndihmën time, edhe pa shënuar unë”.

Hyshmeri me fanellen e Tiranes“Goli për profesor Maganin, njeriun që besoi tek unë”
Vetëm dy ditë u stërvit me Tiranën, dje u fut në fushë dhe shënoi. Renato Hyshmeri, i afruar rishtas në kryeqytet, debutoi me gola dhe për këtë fakt ai është më shumë se i lumtur. “Ishte një emocion i veçantë që të debutoja me gol! Kjo ishte ndeshja ime e parë me fanellën e Tiranës dhe mund t’ju them që është një nga ditët më të lumtura të karrierës sime. I gjithë besimi që më është dhënë nga stafi dhe në veçanti nga trajneri Magani shkuan edhe si dedikim në momentin e shënimit të golit. Qëllimet e Tiranës dihen, që të fitojë gjithmonë trofe, ndaj edhe unë jam bashkuar në këtë skuadër për të fituar sa më shumë. Shpresoj që ta arrij me Tiranën fitimin e titullit, meqë nuk e arrita me Partizanin”, u shpreh mesfushori për gazetën.

Demiraj, trajneri i Apolonise“Luajtëm mirë, gabuam vetëm para porte”
Elidon Demiraj priste më shumë se kaq. Trajneri në fund të ndeshjes për mediat tha se ekipi i tij krijoi dhe u shfaq i barabartë përballë Tiranës. “Ndeshja në pjesën e parë ka qenë e barabartë, ku edhe ne kishim shanset tona për të kaluar dy herë në avantazh me anë të Cankës. Golin e parë e kemi pësuar si pasojë e rreshtimit të gabuar dhe më pas, kur pësuam golin e dytë e kishim të vështirë për të reaguar. Nuk e kishim menduar që ta nisnim sezonin në këtë mënyrë, por ne do të mendojmë për gabimet që kemi bërë dhe për të vijuar me ndeshjet e tjera. Kampionati sapo ka nisur dhe unë kam besim te grupi i lojtarëve që kam. Jam i bindur që do të bëjmë një kampionat dinjitoz dhe të arrijmë të paktën objektivin minimal, qëndrimin në mes të dhjetë skuadrave më të mira të Shqipërisë”, përfundoi trajneri i Apolonisë.
ADELA MERKO





www.minuta90.com