Flasin specialistë dhe ish-trajnerë: Apolonia drejt rënies, faji i presidencës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 30, 2017 | 16:29

Flasin specialistë dhe ish-trajnerë: Apolonia drejt rënies, faji i presidencës

Ka përfunduar faza e parë e Kategorisë së Parë dhe çdo skuadër bën llogaritë e saj mbi ecurinë dhe objektivat. Kësisoj dhe Apolonia, ekip që e ka bërë normativë tanimë (së paku 2-3 sezonet e fundit) ndërtimin gati nga e para të skuadrës, ka kohën për bilance. Gjithsesi, përtej asaj që është thënë e stërthënë më parë, objektivi i skuadrës për këtë sezon është përfshirja në 5-shen e parë në fund të dy fazave të para.

Gazeta “Panorama Sport” ka organizuar një forum me ish-trajnerë dhe specialistë të futbollit në Fier që bëjnë analizën e ecurisë së skuadrës në këtë fazë të parë. Drejtuesit larguan disa titullarë në fillim të kampionatit, në një kohë që u zëvendësuan nga lojtarë të rinj dhe pa eksperiencë. Prej disa sezonesh, Apolonia vuan mungesën e investimeve të mëdha që do ta rikthenin sërish në Superiore. Pritet që edhe në janar të mos ketë shumë ndryshime për sa i përket lojtarëve.

apoloniaa

ELIDON DEMIRAJ

Ish-trajneri i skuadrës deri në fund të sezonit të kaluar, Elidon Demiraj, shprehet: “Ndihem paksa në pozicion jo komod, pasi më tingëllon jo etike të bëj unë një vlerësim për një skuadër që e kam drejtuar vetë sezonin e kaluar, sepse, sido që të shprehem, do ndihem i paragjykuar. Po i mëshoj asaj që ju më çliruat në njëfarë mënyre: të jem objektiv dhe me syrin jo si ishdrejtues. Mendoj se skuadra në përgjithësi ka bërë një punë të mirë duke pasur parasysh riformatimin e saj. Pa dyshim që në Fier duhet të kishin marrë shumë më tepër pikë, por skuadra ka pasur problemet e veta që nuk mund t’i gjykoj. Përmirësim mendoj se duhet bërë në fazën përmbyllëse, pasi ka probleme në finalizim. Shpresoj dhe uroj që gjithçka të ecë mbarë deri në fund dhe skuadra të zërë një vend mes 5 më të mirave”, tha Demiraj.

ADRIAN BALLA

Ish-trajneri i Apolonisë, Balla, u tregua më i ashpër ku fajësoi presidencën për këtë situatë. “Mendoj se objektivi stonon me kontingjentin e skuadrës, por çdo gjë fillon nga lart, nga krerët më të lartë drejtues, presidenca. Gjykoj se në skuadër nuk ka shumë përkushtim, ndaj jam jo skeptik, por i bindur që nuk e meriton e nuk do të renditet në grupin e parë. Ekipi ka oshilacione dhe i duheshin 2-3 përforcime e jo largime masive. Por, e theksoj, filozofinë e dinë më mirë krerët e klubit”.

ROLAND MEHMETI

Specialisti i futbollit, Roland Mehmeti, në analizën e tij tregohet i ashpër në lidhje me gjendjen në të cilën ka përfunduar skuadra. “Po askush nuk ndihet mirë të japë vlerësim për këtë skuadër, për Apoloninë e traditës, për Apoloninë që ka fituar Kupën e Shqipërisë, që ka prodhuar talente me të cilët jemi krenuar e krenohemi teksa na përfaqësojnë si komb. Ndërsa, sot, dua të mos e përmend fjalën ‘derexhe’, por Apolonia po vuan dhe mos u çuditni pse skuadra është braktisur nga tifozët. Por, shpresa humb e fundit, le të presim”, përfundon Mehmeti.

PIRO TOSKA 

Përfaqësuesi i Shoqatës “Miqtë e Apolonisë”, Piro Toska, e shikon edhe më keq situatën dhe beson se skuadra e këtij sezoni do të luftojë për mbijetesë. “Kur kritikohet skuadra me objektivitet, janë gati të të artikulojnë si ‘armik të Apolonisë’, por gjërat flasin qartë. Ekipi është në momente krize, pa ide, pa bosht, pa filozofi dhe aspak premtuese. Mendoj se ka probleme të ndjeshme në të gjitha drejtimet, sidomos në trajnim, pa harruar merkaton e dobët dhe mosaktivizimin e lojtarëve të rinj që janë premtues. Mos ndodhtë, por Apolonia do të luftojë për mbijetesë këtë sezon”, e mbyll në mënyrë dëshpëruese prononcimin e tij Piro Toska.

FATJON NANA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"