“Flamurtari s’ka borxhe”, befason Bashkia e Vlorës: Idrizi kishte disa detyrime, por le ta marrë klubin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2019 | 19:31

“Flamurtari s’ka borxhe”, befason Bashkia e Vlorës: Idrizi kishte disa detyrime, por le ta marrë klubin

Ish-nënkryetari më jetëgjatë i Bashkisë së Vlorës, në kohën e Shpëtim Gjikës dhe kryetari aktual i grupit të mazhorancës në Këshillin Bashkiak, Arqile Mishtaku, thotë se nuk është në dijeni që bashkia ta ketë lënë me borxhe klubin.

maxresdefault (1)

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Mishtaku thotë në këto vite që ka në administrim klubin, Idrizi nuk ka paraqitur në këshill asnjë raport ekonomiko-financiar edhe pse e ka detyrim ligjor.

Zoti Mishtaku, si ishnënkryetar i Bashkisë së Vlorës, a jeni në dijeni të borxheve të klubit të futbollit Flamurtari?

E para njëherë që shoqëria Flamurtari është një shoqëri aksionere ku bashkia është 100% aksionere. Si e tillë, të gjitha vendimet e kësaj shoqërie miratohen në fund të vitit në Këshillin Bashkiak. Me sa di unë, nuk kam parë në bilancin e shoqërisë Flamurtari që të ketë detyrime ndaj të tretëve apo të tretët ndaj shoqërisë për vitet që flasim, pra për vitet 2010-2011.

Sinan Idrizi pretendon të kundërtën…

Idrizi ka dhënë shumë kontribut për Flamurtarin në këto pesë vite. Normalisht kontributi i Idrizit është për t’u falënderuar, sepse ka pesë vite që sponsorizon Flamurtarin. Duhej që për çdo detyrim apo borxh, drejtuesit të paraqisnin jo vetëm borxhet, por edhe mënyrën se si do të shlyheshin.

Sinan Idrizi Flamurtari

Unë e kam kërkuar këtë gjë edhe në debatin që kemi pasur në Këshillin Bashkiak, por nuk na është vënë në dispozicion ndonjë detyrim apo ndonjë borxh, që çfarë janë, si janë. Pa u bërë transparente nuk mund të gjykojmë apo bëjmë ndonjë analizë mbi to, që ekzistojnë apo jo.

Nëse ekzistojnë këto borxhe, kush duhet t’i shlyejë?

Lidhur me mënyrën se si duhen shlyer, unë thashë që çdo lloj vendimmarrjeje që merret për ekipin, është vendimmarrje e Këshillit Bashkiak. Dhe nëse do të kishin të tilla, duhet të ishin sjellë, të miratoheshin.

Ju thoni nuk ka borxhe, por çfarë ka paguar Idrizi?

Nëse flasim për Flamurtarin që mbikëqyret nga bashkia, e sqarova edhe më lartë që shoqëria Flamurtari fondet i merrte nga Bashkia Vlorë. Dhe bashkia ka detyrimin që të shlyejë të gjitha ato detyrime si veprime kontraktore si pagat, sigurimet, shpenzimet e udhëtimeve, dieta, për të zhvilluar në mënyrë normale aktivitetin futbollistik të çdo lloj edicioni, pra çdo lloj viti.

Edhe zoti Idrizi nëse këto i ngre si kontrata, t’i bëjë transparente. Ku janë këto kontrata, kush i ka lidhur, si janë lidhur, a janë miratuar në institucionet përkatëse në Këshillin Bashkiak, në bashki, në administratën e klubit në kohën kur administrohej nga bashkia.

Flamurtari goli

Idrizi thotë se kërkon një letër nga bashkia për të vërtetuar se këto para i ka paguar. Si mendoni?

Borxhet vërtetohen në bazë të një kontrate dhe me ndonjë letër apo me ndonjë informacion. Çdo lloj kontrate që lidhet me shërbimet apo detyrimet ndaj shoqërisë, miratohet në organet drejtuese të shoqërisë.

Asnjë borxhmarrës nuk është paraqitur në Këshillin Bashkiak në shkresë, që të thotë: Zotërinj, anëtarë të këshillit, mua më ka dalë ky lloj borxhi, ose shoqëria më ka borxh një kontratë pune, një kontratë shërbimi apo një kontratë tjetër. Këto janë çështje administrative që me kohë duhet të ishin zgjidhur në bashki.

E pengojnë këto borxhe që pretendon Idrizi që të mos paguajë ekipi dhe stafin?

Në Këshillin Bashkiak çdo muaj qershor duhet të vijnë të miratohen të gjithë treguesit financiarë, bilanci, mënyra se si është administruar, si ka ecur, të bëhet një analizë e treguesve ekonomiko-financiarë të shoqërisë.

Si mund të zgjidhet?

Të bëhet njëherë transparent, të analizohet, të taksohet, cilat janë borxhet, sa janë. Të analizohet problemi njëherë, pastaj të zgjidhet. Me hedhjen në letër që e kam, nuk e kam, se kush e ka fajin, nuk sjell zgjidhje. Zgjidhja është të hapen letrat, të analizohet me qëllim që Flamurtari të mos pengohet në ecurinë e vet.

Lojtaret e Flamurtarit

Mendoni se zgjidhja më e mirë do të ishte falimentimi i klubit?

Ligji mbi falimentin e ka të përjashtuar, për të gjitha ndërmarrjet apo shoqëritë me karakter publik qe administrohen nga qeverisja vendore apo qendrore. Shoqëritë publike nuk kalojnë në ligjin e falimentit. Shoqëritë tregtare me fonde jopublike kalojnë në faliment.

Këto janë procedura të një shoqërie që e ka mbyllur misionin e vet, nuk mund të vazhdojë më si shoqëri. Por në këto kushte, duhet ta mbyllim aktivitetin sportiv në qytetin e Vlorës?

Unë nuk jam për këtë. Unë jam për bashkëpunimin e hapur midis institucioneve, bashkisë, administratës së klubit, sponsorit dhe Këshillit Bashkiak, me qëllim që Flamurtari të jetë në nivelet që duhet të ishte si një ekip që ka vlerat e veta në kompeticionin futbollistik ne Shqipëri dhe jashtë saj.

Cili është mesazhi juaj?

Të mblidhemi të gjithë të kontribuojmë për Flamurtarin nga pikëpamja financiare dhe intelektuale me dëshirën e mirë që klubi të jetë atje ku i takon. Midis falimentit dhe privatizimit, për mua klubi duhet të privatizohet. Të privatizohet bashkë me asetet. Të gjenden mënyrat e privatizimit. Në mos asetin kryesor, ka edhe të tjera.

Nëse nuk privatizohen dot këto asete në këtë kohë për shkak se nuk ka dalë ligji, atëherë Bashkia Vlorë ka plot ambiente publike të cilat t’ia ofrojë Idrizit që të investojë në asete sportive për ndërtimin e impianteve të reja sportive. Të jepet një tokë nga Këshilli Bashkiak, duke qenë se e ka të drejtën bashkë me bashkinë.

Arqile mishtakuj

Privatizimi me Idrizin apo të jetë një garë e hapur?

Për mua me Idrizin, sepse në këto vite ka qenë kontribuesi kryesor te Flamurtari në këto vite. Është bërë një kontratë nga këshilli i mëparshëm, se do shtojmë disa elementë të tjerë, që t’i shërbejmë jo thjesht Idrizit, por të vlerësojmë kontributin e tij dhe t’i japin disa hapësira të tjera që na lejon ligji, që ai të investojë pasi ka edhe dëshirën dhe mundësinë që të investojë në mënyrën maksimale në futboll.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"