Flamurtari rrezikon të humbasë dhe dy lojtarët me përvojë, gjithçka vendoset brenda javës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2020 | 11:05

Flamurtari rrezikon të humbasë dhe dy lojtarët me përvojë, gjithçka vendoset brenda javës

Shpëtim Moçka dhe Andi Ribaj do ta qartësojnë këtë javë të ardhmen, por ajo duket larg Flamurtarit. Portieri dhe sulmuesi janë në pritje të një takimi të fundit me drejtuesit e klubit. Të dy këta lojtarë kanë qenë ndër dëshirat e administratorit Sinan Idrizi për t’i mbajtur te Flamurtari edhe në Kategorinë e Parë.
pjimage (1)
Drejtuesit u kanë premtuar Moçkës dhe Ribajt se do të kenë garanci financiare dhe se do marrin edhe pagat e prapambetura, çka i ka “ngrohur” ata në njëfarë mënyre, ndaj dhe kanë pritur deri tani, por duket se ka ardhur momenti për të marrë një vendim. Situata te Flamurtari nuk po ndryshon. Edhe kjo javë nisi pa lëvizje konkrete, me ekipin që vazhdon pushimet.
Flamurtari Mocka
MOÇKA – “Panorama Sport” mëson se për të qëndruar në Vlorë, portieri Moçka ka “djegur” dy oferta jo pak të rëndësishme. Gjasat janë që nëse nuk qëndron te Flamurtari, Moçka mund ta vazhdojë karrierën te Kukësi, pasi nga verilindorët ka marrë një ofertë konkrete. Pengesa e vetme është bërë dëshira për të qëndruar në Vlorë, por këtë javë portieri do të vendosë përfundimisht.
RIBAJ
RIBAJ – E njëjta situatë është edhe për Andi Ribajn. Kapiteni është në pritje të takimit të fundit me administratorin Sinan Idrizi. Ribaj ka një ofertë nga Qipro, por për sulmuesin mësohet se janë interesuar edhe ekipe të Superiores, përfshirë edhe Apoloninë që kërkon ta rikthejë. Pritet tani një takim i fundit me Idrizin, i cili ka thënë se sapo të vendoste Këshilli Bashkiak për të ardhmen, do të uleshin për të diskutuar përfundimisht. Moçka dhe Ribaj duken larg Vlorës, sepse Flamurtari deri tani është në “ajër”.

Klubi njoftoi disa ditë më parë se më 24 gusht do të niste përgatitjet, pra dje, por kjo nuk ndodhi. Po ashtu, nuk është bërë asgjë për plotësimin e ekipit. Dihet që baza e Flamurtarit sezonin e ri do të jenë futbollistët e akademisë, por më parë duhet të zgjidhet çështja e trajnerit. Pas rënies së pistës së Memushit, drejtuesit po mendojnë për t’ia besuar skuadrën Dritan Resulit që e njeh mjaft mirë ambientin. Te Flamurtari po përsëritet e njëjta situatë si sezonin e shkuar, kur vlonjatët u grumbulluan vetëm dy javë para startit të kampionatit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"