Flamurtari nuk kursehet për ngjitjen, 2 milionë euro buxhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2023 | 21:18

Flamurtari nuk kursehet për ngjitjen, 2 milionë euro buxhet

Buxhet milionerësh edhe për Flamurtarin. “Panorama Sport” mëson se drejtuesit kanë vendosur të mos kursehen as për sezonin 2023-2024.

359754919_792710982514308_9044246797281077857_n

Ata kanë depozituar në dispozicion të klubit dhe skuadrës rreth 2 milionë euro, buxheti më i madh ndër vite. Në këtë shumë përfshihet edhe fondi që do të shërbejë për investimet në infrastrukturë. Gjithsesi, shuma mund të rritet në varësi të realizimit të projektit të fushave të reja sportive. Nga totali i këtij fondi 1.5 milionë euro do t’i shërbejnë vetëm skuadrës. Në këtë shumë futen kontratat, pagat e lojtarëve, bonuset, trajtimi ushqimor, akomodimi jashtë Vlorës në transferta si dhe qiratë e shtëpive. Burime zyrtare pranë klubit, konfirmojnë për gazetën se futbollistëve u janë dhënë paga paradhënie. Pjesa më e madhe e tyre kanë marrë 50% të kontratës paradhënie përpara nisjes së sezonit.

PAGAT – Edhe këtë vit, rrogat janë “të majme”. Natyrisht që ka diferencime mes futbollistëve dhe ata që mbajnë peshën më të madhe do të marrin më shumë. Pagat edhe këtë sezon variojnë nga 2 milionë në 5 milionë lekë të vjetër. Por edhe sezonin e shkuar kanë qenë të larta. Lojtari më i paguar ishte Erik Flores, që ka përfituar 6 milionë lekë në muaj. Lojtarët më të paguar kanë qenë edhe Igor Vanderon da Silva dhe Pedro Augusto që kanë përfituar nga 5 deri në 6 milionë lekë në muaj. Ndërsa paga mujore e lojtarëve të tjerë ka vijuar nga 3 në 4 milionë lekë. Sa u takon lojtarëve të stolit, ata kanë përfituar në muaj nga 2 milionë lekë. Në këto nivele janë edhe pagat e këtij sezoni.

KONTRATA – Prej 25 ditësh, Flamurtari nuk ka kontratë me Bashkinë e Vlorës. Këshilli Bashkiak nuk është mbledhur ende. Kontrata skadoi më 31 korrik, por gjithsesi kjo nuk ka ndikuar aspak në mbarëvajtjen e punëve në skuadër. Ekipi u grumbullua në Korçë, madje futbollistëve iu shpërndanë edhe pagat paradhënie. Administratori Sinan Idrizi mësohet se ka dërguar një letër në bashki për t’u mbledhur Këshilli Bashkiak. Ndër të tjera, Idrizi kërkon shtyrjen me 3 vite të administrimit nga 2 që ishte së fundmi, e argumentuar kjo me investimet që priten në infrastrukturë. Por gjithsesi, Këshilli Bashkiak nuk ka parashikuar një mbledhje për shtyrjen e administrimit të Flamurtarit.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"