“Në Ballsh ndikuan dëmtimet e shumta dhe kartoni i kuq i portierit”, Vitija skanon humbjen e Flamurtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 2, 2024 | 17:29

“Në Ballsh ndikuan dëmtimet e shumta dhe kartoni i kuq i portierit”, Vitija skanon humbjen e Flamurtarit

Mbrojtësi Ermal Vitija mendon se, pavarësisht humbjes, Flamurtari dha gjithçka në Ballsh. Sipas tij, ndikuan mungesat e të dëmtuarve, si dhe kartoni i kuq i portierit Teqja.

VITIJA FESTE ME FLAMURTARIN

Për “Panorama Sport”, 23-vjeçari kosovar thekson se paraqitja me Bylisin ishte ndër më të mirat. Vitija thotë se skuadra do të japë maksimumin për ndeshjet e “play off”-it.

Vitija, ju vjen keq për humbjen që pësuat me Bylisin?

Sigurisht, çdo humbje të mërzit. Flamurtari është i projektuar vetëm për fitore. Kështu që çdo disfatë na trondit dhe kjo është normale.

Takimi nisi mirë nga Flamurtari, çfarë ndodhi që u përmbys situata?

Pjesa e parë ishte përgjithësisht shumë e mirë, por na penalizoi kartoni i kuq i portierit, që na la me një lojtar më pak. Doli edhe Indio Oliveira, i cili është një lojtar që ka peshë në ekip. Kartoni i kuq ndikoi dhe pjesa e dytë nuk ishte e mirë për ne.

E ndiet që në pjesën e dytë ekipi nuk po jepte shenja “kërcënimi” kundër Bylisit, pasi sikur donit ta mbyllnit ndeshjen sa më shpejt?

Jo, nuk e kam parë ashtu. Ne rrezikuam edhe pse ishim me 10 lojtarë. Në 10 minutat e fundit ishim edhe me 9-të, pasi u dëmtua Deliaj. Nuk e mendoj kështu, pasi Flamurtari shkon gjithmonë për fitore. Na penalizoi kartoni i kuq dhe dalja e Oliveirës që u dëmtua. Nuk mendoj se ne mezi prisnim që të mbyllej ndeshja, pasi rrezikuam edhe pasi pësuam katër gola. Nuk krahasohet ndeshja e “play off”-it me këtë ndeshje. Takimi me Bylisin ishte si një lloj ndeshje prestigji. Por edhe kishim shumë mungesa që ndikuan. Pra, ndikuan shumë faktorë dhe jo vetëm kartoni i kuq. Na mungoi Sidibe që është shtylla e mbrojtjes. Kemi mungesa në mesfushë, Shkurtaj gjithashtu është i dëmtuar.

Në pushimin e ndeshjes ishit të shqetësuar se luanit me një lojtar më pak, apo ju kishte kapur euforia se ishit në avantazh 2-1?

Të them të drejtën ishim të qetë, pasi ishte një nga ndeshjet më të mira që kemi luajtur deri tani, në pjesën e parë. Pastaj në të dytën ndikuan mungesat, kartoni i kuq…

Sipas jush, defekti i golave ishte i mbrojtjes, apo i gjithë ekipit?

Ishte i të gjithë skuadrës, në të gjitha repartet. Kur gabon, gabon i gjithë ekipi. Mbrojtja ishte ndryshe nga ndeshjet e kaluara. Pjeshka u aktivizua si qendërmbrojtës, ndërkohë që roli i tij është në mesfushë. Gustavo nuk ka shumë minuta, edhe unë sapo jam kthyer nga një dëmtim. Pra, kemi gabuar të gjithë.

Si e shikoni Flamurtarin në ndeshjet e “play off”-it?

Nuk janë ndeshje të lehta. Janë përballje ku do të luhet futboll. Unë besoj se do të japim maksimumin për t’i kaluar me sukses dhe për të dhënë gjithçka në ndeshjen e fundit, që është një finale e madhe për Flamurtarin.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"