Flamurtari mund Labërinë në miqësoren para festave, Resuli pret “dhuratat”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2023 | 9:30

Flamurtari mund Labërinë në miqësoren para festave, Resuli pret “dhuratat”

Kampionati për këtë vit u mbyll, por Flamurtari vazhdon me ndeshjet. Të shtunën zhvilluan një miqësore në Nartë, aty ku i priste Labëria. Kuqezinjtë fituan, por vetëm në limite. Ndeshja ka prodhuar raste pa fund, por gol pati vetëm një. Ishte 18-vjeçari Daniel Bregova që shënoi në derbi, duke e nisur mbarë rrugëtimin e tij me ekipin e parë.

flamurtari

NDESHJA

Skuadra e Dritan Resulit bën presion qysh në minutat e para, por Leshi dhe Ramadani nuk e gjejnë dot rrjetën. Labëria ka një rast flagrant me Mukojn, që ndalet nga shtylla. I njëjti rezultat edhe për Oliveirën pak minuta më tutje, kur shtylla i thotë “jo” golit. Nuk janë konkretë para portës as Vucaj, Beqja e Hasa. Pjesa e parë do të mbyllej me të paktën 15 mundësi të shpërdoruara.

Pas pushimit do të binte në sy aktivizimi i tre lojtarëve të akademisë për Flamurtarin. Ndryshime do të kishte në portë, ku minuta ka edhe për Kaloshin. Hasa jep sërish “xixa”, teksa sfera përshkon pasqyrën e portës, ndërsa një gjuajtje e Sidibes do të përfundonte në duart e portierit. Hasa do të shënonte pak minuta më vonë, por gjyqtari e anulon për pozicion jashtë loje.

Në vijim, Leshi nuk zgjat siç duhet këmbën për ta shtyrë topin në rrjetë, por edhe Oliveira nuk ka shënjestrën e duhur, ndërsa Ramadani çon një top mbi tra. Pas shumë tentativash, zhbllokimi i rezultatit do të vinte në minutën e 89-të. Oliveira gjen të lirë Bregovën, ky i fundit gjuan rrufeshëm, fillimisht prek traversën e më pas topi hyn në rrjetë e përfundon në krahun e djathtë të Loshit.

Dy minutat shtesë në fund nuk do të ndryshonin gjë. Pas kësaj miqësore, Flamurtari shpërndahet dhe merr pushimet për të zbritur në fushën stërvitore në ditët e para të janarit 2024.

016541

RESULI

Dritan Resuli shprehet i kënaqur nga reagimi i skuadrës në këtë miqësore. Trajneri thekson gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, se ishte i domosdoshëm ky test përpara pushimeve.

“Kjo ishte një miqësore për të mbajtur ritmin. Ne kemi kohë shumë në dispozicion për të punuar, ndërsa përpara kemi edhe festat. Kjo na duhej për të programuar planin e ditëve që do të zbatojmë në vijim. Jam i kënaqur nga paraqitja që bëri grupi në këtë ndeshje me Labërinë. Lojtarët zbatuan detyrat dhe ato çfarë kemi punuar në stërvitje. Provuam shumë lojtarë, dhe nga ata që nuk kishin marrë shumë minuta në kampionat. Një ndeshje që na vlejti për ecurinë tonë”, shprehet fillimisht numri një i stolit. Më pas ai ndalet te merkatoja, aty ku i ka edhe “sytë”.

Përsërit se do të ketë afrime të rëndësishme, që do ta afrojnë me objektivin “Superiore”. “Jemi në bisedime me disa lojtarë që do t’i afrojmë. Janë me vlera dhe me eksperiencën e duhur. Unë besoj se do të na ndihmojnë shumë për të arritur objektivin që kemi për t’u ngjitur në Superiore”, përfundon Resuli.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"