Flamurtari ende pa trajner, bie pista “Memushi”. Idrizi gati t’i japë drejtimin e skuadrës teknikut tjetër vlonjat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2020 | 10:39

Flamurtari ende pa trajner, bie pista “Memushi”. Idrizi gati t’i japë drejtimin e skuadrës teknikut tjetër vlonjat

Orët e fundit situata ka marrë një tjetër rrjedhë te Flamurtari sa i takon njeriut që do ta drejtojë atë në Kategorinë e Parë, ku pista e Memushit ka rënë. Trajneri vlonjat dhe administratori Sinan Idrizi u takuan pas largimit të Marcelo Troisit dhe kishin lënë një takim tjetër për të vendosur, por rikthimi i Memushit te Flamurtari nuk qenka e thënë të ndodhë.

memushi idrizi

Nuk dihet se ku kanë mbetur gjërat pezull që nuk u arrit të konkretizohet ky bashkëpunim, por gjasat janë që trajneri Memushi të ketë kërkuar nga drejtuesit e klubit një projekt konkret dhe financa të shëndosha. Në parim mësohet se Idrizi i ka dhënë garanci për gjithçka, Memushi kërkoi kohë, por tani duket se do të kthehet tek Oriku, ekipi që e drejtoi sezonin e fundit dhe që dha dorëheqjen para ndeshjes së fundit të kampionatit.

“Panorama Sport” mëson se trajneri vlonjat është parë në Orikum i shoqëruar nga drejtues të Orikut, madje edhe nën shoqërinë e disa lojtarëve. Ende nuk mund të thuhet nëse kemi të bëjmë me një rikthim të Memushit në Orikum, por gjasat janë që kjo të ndodhë në vijim. Kjo është hera e dytë që Idrizi nuk arrin ta bindë Eqerem Memushin të marrë drejtimin e Flamurtarit.

dritan resuli

RESULI – Nuk ka kandidat tjetër zyrtar për t’u ulur në stolin e Flamurtarit, por burime nga klubi kuqezi bëjnë me dije se ai do të jetë patjetër nga Vlora. Gazeta mëson se administratori Idrizi, pas rënies së pistës së Memushit, po mendon të emërojë Dritan Resulin si trajner të Flamurtarit.

Ai e vlerëson teknikun vlonjat për atë që ka bërë në drejtimin e ekipit të të rinjve, por edhe si zëvendëstrajner i ekipit të parë. Madje, Resuli ka qenë trajner në dokumente gjatë ndeshjeve zyrtare, pasi braziliani Marcelo Troisi nuk kishte licencën UEFA PRO. Kështu, trajneri i ri do të zgjidhet brenda shtëpisë edhe për faktin se Resuli i njeh mjaft mirë lojtarët e rinj vlonjatë, të cilët i ka stërvitur vetë te mosh.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"