“Fitorja me Tiranën është detyrim për Teutën”, Edi Martini: Nuk më intereson kush bën tifo për ne

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2020 | 9:28

“Fitorja me Tiranën është detyrim për Teutën”, Edi Martini: Nuk më intereson kush bën tifo për ne

Java e 29-të e Superiores e vendos Teutën përballë Teutës në shtëpi, e për më tepër kur blutë kanë disa mungesa të rëndësishme. Janë pikërisht mungesat që do ta detyrojnë Edi Martinin të bëjë lëvizje taktike ndaj bardhebluve. Trajneri i Teutës, Edi Martini, në një intervistë për “Panorama Sport” shprehet se përballja me Tiranën është vetëm ndeshja e radhës. Martini shprehet se fitorja ndaj Tiranës do të ishte një dhuratë për të gjithë ata që janë pjesë e Teutës. Trajneri i bluve shprehet se nuk i intereson nëse Kukësi apo ndonjë tjetër bën tifo për Teutën, por ai shpreson ta fitojnë këtë sfidë për vete dhe për klubin.
Edi-Martini
Pas barazimit me Vllazninë në Kupë, prisni Tiranën. A jeni gati që të “sfidoni” ekipin e momentit?
Ndeshja me Tiranën është thjesht sfida e radhës. E dimë se përballë kemi një ekip që ka një ecuri mjaft të mirë. Gjithsesi, ne jemi të qartë në objektivat tanë, kërkojmë Europën. Ajo që kërkojmë nga ekipi dhe synimi ynë në fushë është fitorja, pasi tri pikë, siç janë të rëndësishme në rrugën e Tiranës drejt titullit, ashtu janë të rëndësishme edhe për ne që luajmë për në Europë. Do të jetë një ndeshje e fortë dhe e luftuar. Shpresoj që dhe fati të jetë me ne e ta fitojmë ndeshjen.
Tirana-Teuta
Teuta ka bërë ndeshje të mira, por problem mbetet goli. Si mendoni ta zgjidhni këtë element në një ndeshje kaq të fortë ndaj Tiranës?
Tirana ka dominuar çdo kundërshtar, por unë i referohem ndeshjes së fundit që kemi zhvilluar në Tiranë. Një gol ia kemi falur, një karton i kuq që nuk e meritonim. Kemi bërë një ndeshje të mirë në mes të Tiranës. Unë shpresoj dhe mendoj që kemi forcën si ekip që të bëjmë një ndeshje të mirë. Çështja e golit është shumë e rëndësishme. Edhe këtë javë në Shkodër shënuam dy gola.  Ju i referoheni faktit që sulmuesit nuk po shënojnë, por unë e ritheksoj që sulmin dhe mbrojtjen e bën i gjithë ekipi. Ne kemi shënuar jo pak gola. Gjithsesi, unë shpresoj ta mbyllim ndeshjen. Kushdo le ta shënojë golin. Me rëndësi janë tri pikët.

Çfarë ju kënaq më shumë te skuadra në këtë periudhë, pasi në fillim keni pasur disi pakënaqësi për mënyrën e
lojës dhe agresivitetin?
Teuta është një klub dhe një familje e madhe. Nëse të gjithë bashkë do të japim zemrën dhe shpirtin në fushë, besoj se do t’ia dalim. Mendoj se forca në grup është pika më e fortë e skuadrës.

Ky duel ka një specifikë të veçantë…?
Normalisht do të ishte dhuratë për tifozët, dhuratë për sportistët, për mua, për presidencën, për familjet tona, që kemi sakrifikuar në këtë kohë pandemie, duke u stërvitur në kushte mjaft të vështira. Ky është një detyrim. Është një ndeshje që duhet të bëjmë çmos ta fittojmë.

Çfarë i ka munguar Teutës në këto javë, që duhet rregulluar më tej?
Unë mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë në Laç, kemi bërë një ndeshje disi jo të mirë në Ballsh, por nuk meritonim të humbitnim në fund të lojës. Kemi bërë një pjesë të dytë të mirë në Shkodër, ku skuadra tregoi karakter dhe arriti të barazonte ndeshjen. Gjithsesi, të vazhdojmë në vazhdën e asaj ndeshjeje në Shkodër. Forca grupit dhe karakteri i skuadrës është ajo që më kënaq.

Është kryendeshja e javës e të gjithë i kanë sytë te Teuta…?
Për mua pak rëndësi ka kush bën tifo për Teutën. Ne të gjithë bashkë i shërbejmë fanellës së Teutës. Nuk më intereson kush bën dhe kush nuk bën tifo. Ajo që me intereson është të fitojmë për vete, për interesat e klubit dhe për gjithë familjen tonë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"