“Finalja” kundër Turqisë, zbulohet plani i Rejas. Trajneri gati të ndryshojë skemën…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 23:54

“Finalja” kundër Turqisë, zbulohet plani i Rejas. Trajneri gati të ndryshojë skemën…

Shpresa e vetme për ta mbajtur gjallë ëndrrën për t’u kualifikuar në finalet e Kampionatit Europian 2020 është që kuqezinjtë të marrin një rezultat pozitiv të premten mbrëma në Stamboll.

Kombetarja ne Turqi

Rëndësinë e kësaj përballjeje, më shumë se çdokush, e di edhe vetë trajneri italian i Shqipërisë, Edoardo Reja, i cili së bashku me stafin teknik po punojnë në mënyrë të vazhdueshme për ta përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme sfidën më të rëndësishme të këtyre eliminatoreve.

Gjatë këtyre ditëve, puna e kuqezinjve është përqendruar në të gjitha drejtimet, pa përjashtuar asnjë aspekt, me qëllim që të jenë të përgatitur për të përballuar me sukses çdo të papritur që do t’i sjellin 90 minutat e zjarrta në stadiumin “Ülker” të Fenerbahçes. Për të marrë më të mirën nga kjo përballje, Reja ka dy plane: planin A dhe planin B.

VARIANTI A

Edi Reja ka të parapëlqyer skemën 3-5-2, por sfidën me Turqinë mund ta nisë me skemën 4-4-2. Italiani kërkon të ketë sa më shumë siguri në prapavijë, pasi e di mirë se po pësuan kuqezinjtë, do ta kenë të vështirë për të siguruar një rezultat pozitiv në këtë takim.

Reja Kombetarja

Shqipëria do të niset drejt Turqisë sot me idenë që fillimisht ta mbajnë të paprekur kuadratin dhe më pas të shfrytëzojnë ato raste që do të krijohen nga ndeshja për të sulmuar portën e kundërshtarit. Në fakt, në të dyja variantet formacioni pothuajse nuk ndryshon, me përjashtim të një lojtari.

Në skemën 4-4-2 ka vend në krahun e djathtë për Frederik Veselin, ndërsa “skualifikohet” Odise Roshi. Një barazim pa gola do t’i shkonte për shtat Shqipërisë, ndaj edhe stafi teknik, me në krye trajnerin Reja, ka studiuar ndeshjen Turqi-Andorrë, të cilën vendësit e fituan me shumë fat, minimalisht (1-0) në minutën e 89-të, kur Tufan zhbllokoi rezultatin.

skema a

Kur e mbajti Andorra për 89 minuta të paprekur portën, pse të mos e mbajë edhe Shqipëria?! Skema sipas variantit A mund të jetë kjo: Strakosha, Demarku-Ismajli në qendër, ndërsa në krahun e djathtë Veseli e në të majtë Gjimshiti. Lenjani në të majtë të mesfushës, Gjasula-Bare në qendër dhe Memushaj në krahun e djathtë. Ndërsa në sulm dyshja Manaj-Cikalleshi.

VARIANTI B

Në varësi të ndeshjes, Reja mund të ndryshojë dhe nga 4-4-2 ta shndërrojë modulin në 3-5-2. Varianti 3-5-2 i dha të drejtë italianit të pankinës shqiptare në ndeshjen e fundit, pasi skuadra funksionoi shumë mirë, duke shënuar katër herë në portën e islandezëve. Ka shumë të ngjarë që këtë variant Reja ta vërë në zbatim në rast se skuadra pëson gol dhe do t’i duhet të rikuperojë rezultatin.

Varianti B

Në këtë variant sakrifikohet Veseli dhe aktivizohet në krahun e djathtë të mesfushës Odise Roshi. Formacioni i mundshëm në variantin B: Strakosha në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Gjimshiti-Ismajli dhe Dermaku (ose Kumbulla). Në mesfushë janë projektuar Lenjani-Gjasula-Bare, Memushaj dhe Roshi më të avancuar nga krahët, ndërsa Manaj e Cikalleshi në sulm.

LEONIDHA MUSAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"