“Finale” për mbijetesën, Devolli leksione sulmit / Kundër Erzenit vlejnë vetëm tri pikët për Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2024 | 13:39

“Finale” për mbijetesën, Devolli leksione sulmit / Kundër Erzenit vlejnë vetëm tri pikët për Kukësin

Kukësi është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të kenë këtë të diel me Erzenin në shtëpi. Një rival direkt, që shihet si një “biletë” shpëtimi në rast fitoreje të verilindorëve. Për këtë arsye, ne kampin blu e kanë vlerësuar maksimalisht dhe do të përpiqen me të gjitha format për të dalë me tri pikë nga kjo përballje.

kukesi

Për këtë sfidë Bledar Devolli do të ketë mungesën e mbrojtësit Franko Lamçe, pasi ka mbushur numrin e kartonëve të verdhë dhe do t’i duhet të bëjë një javë stop. Sakaq, mungesa më e rëndësishme është ajo e Atdhe Rashitit, që vijon të jetë i dëmtuar dhe me shumë gjasa as për këtë përballje delikate nuk do të jetë.

MANOVRAT ME GOLIN – Kukësin e mban në lojë vetëm fitorja përballë Erzenit sa i përket shpresave për mbijetesë. Çdo rezultat tjetër nuk do t’i hynte në punë dhe do u duhej që praktikisht pjesën e mbetur të sezonit ta luanin thjesht sa për të respektuar garën, edhe pse matematika mund ta mbajë në lojë sa më gjatë.

I vetëdijshëm për këtë fakt, tekniku Bledar Devolli, është duke u fokusuar në seancat stërvitore pikërisht te gjetja e golit, sepse pa shënuar nuk fiton dot. Është ky për momentin meraku i parë i teknikut të ri, që në seancat e para stërvitore është përpjekur me të gjitha mënyrat që të bëjë sulmuesit të shkojnë te goli.

Jo vetëm nëpërmjet aksioneve të rrjedhshme në fushë, por një mënyrë që pritet të shfrytëzohet në maksimum janë edhe goditjet e ndaluara. Duhet thënë se në tri ndeshjet e fundit skuadra nuk ia ka dalë dot që të shënojë.

ANA MORALE – Përgjatë këtyre ditëve, Devolli është përpjekur të ngrejë edhe moralisht skuadrën, duke u bërë me dije që asgjë nuk ka mbaruar. Në lojë janë ende edhe shumë pikë dhe për këtë arsye, në klub duan që të mbajnë të karikuar lojtarët që të japin maksimumin dhe të besojnë te mbijetesa.

Morali në skuadër ka rënë ndjeshëm gjatë këtyre javëve, për më tepër që në disa ndeshje janë ndier “të vjedhur” edhe nga vendimet e arbitrave, duke injektuar te lojtarët idenë se i kanë të gjithë kundër.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"