Fiksimet e një “diktatori”, Orges Shehi: Nuk luaj kurrë me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 12, 2017 | 12:46

Fiksimet e një “diktatori”, Orges Shehi: Nuk luaj kurrë me…

Portieri dhe kapiteni i Skënderbeut, Orges Shehi, në një rrëfim unik për “Panorama Sport”, ka komentuar përballjen e radhës në Ligën e Europës, atë ndaj Dinamos së Zagrebit, si dhe ka treguar fiksimet e tij para çdo ndeshjeje. Ai thotë se nuk luan asnjëherë me doreza të zeza, si dhe kujton momentin kur firmosi para 7 vitesh për korçarët.

shehi

Gesi, a keni ndonjë plan konkret se si Skënderbeu mund të përballet me Dinamon në Europë?

Plani konkret është që duhet të jemi të përqendruar dhe me impenjim maksimal. Janë ekipe që nuk të falin, prandaj nuk duhet ta humbësh në asnjë moment përqendrimin. Kjo do të jetë një nga gjërat që duhet të bëjmë në të dy takimet.

Thuhet që Dinamo nuk është më ajo e dy viteve më parë, po Skënderbeu është më i fortë apo më i dobët?

Realisht, ne jemi ekip që po shfaqemi shumë mirë. Jemi skuadër që luajmë si grup dhe kemi përballuar kundërshtarë shumë të fortë. Dinamo është një ekip me potencial dhe traditë, por nuk janë në atë nivel pasi kanë pasur ndryshime. Për këtë mendoj se kemi më shumë shanse se dy vite më parë.

Si kapiten, çfarë apel i bëni ekipit?

Skuadra, në këndvështrimin tim, duhet të jetë e qetë. Nuk duhet të ketë presion, sepse është para një ëndrre, që merr vlera më shumë duke kaluar nga një rrugë më e vështirë, sepse po ndjekim një rrugë më të gjatë.

A është i përgatitur Shehi nëse kualifikimi do të vendoset sërish me penallti?

Edhe në ndeshjen me Mladën unë nuk isha i përgatitur, por nëse do të shkojë deri atje, ekipi ka lojtarë me eksperiencë, të cilët nuk bien pre e presioneve. Prandaj besoj se jemi deri diku të përgatitur.

Çfarë e vendos ndeshjen me Dinamon?

Mendoj që në të tilla ndeshje vendosin episodet. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe vlerësues. Besoj se përqendrimi dhe vlerësimi do të jetë një nga faktorët kyç.

Ta pranojmë që Dinamo është më e fortë, por a ka Skënderbeu ndonjë gjë më të mirë?

Nuk e di se çfarë kualitetesh ka Dinamo në këto momente, pasi nuk është më ekipi i para dy vitesh. Skënderbeu ka një motiv shumë më të madh, një ecuri pozitive dhe një grup shumë të mirë.

Si e kujtoni momentin e parë kur firmosët me Skënderbeun dhe a e kishit çuar në mend që do të zgjaste kaq shumë?

Kur unë firmosa për Skënderbeun ishte një kantier ndërtimi, një klub që s’ka pasur asgjë veç presidentit. Isha pjesë e Kavajës dhe do të luaja në Europë kundër Olimpiakosit. Kisha një ofertë nga presidenti Ylli Ndrroqi i Peqinit që kishte plan të bënte një superinvestim.

Në momentet e fundit vendosa të vij në Korçë edhe pse ana financiare ishte më e pakët. Zgjodha Skënderbeun duke parë seriozitetin dhe projektin e drejtuesve, por edhe qytetin që është tërheqës dhe shumë i qetë. Ne që firmosëm të parët morëm një risk të madh, por për fat gjithçka shkoi mirë. Por kurrë nuk e kisha menduar se do të rrija kaq gjatë.

Cili është fiksimi juaj para çdo ndeshjeje, a keni një gjest të veçantë që e bëni?

Nuk është se jam i fiksuar, por kam dhe unë disa gjëra. Hyj me këmbën e djathtë në fushë dhe në zonën e 16-shes. Kam një fiksim pas uniformave që të jenë ashtu siç dua. Nuk luaj kurrë me doreza të zeza, por i dua të bardha. Edhe për këpucët i dua ose të bardha, ose të gjelbra. Këto janë klishetë e mia.

Sa herë keni gjuajtur penallti në karrierë dhe a do ta bënit sërish?

Penallti kam gjuajtur me Teutën dhe Skënderbeun në kampionat, por edhe në Europë. Do ta marr përsipër gjithmonë sepse jam lojtari më i vjetër dhe do të marr përgjegjësi.

Sa e vështirë është ta gjuash penalltinë për herë të dytë në një ndeshje?

E kam provuar me Çernomorets, pasi herën e parë nuk e dëgjova sinjalizimin e arbitrit. Je në dilemë se në cilin krah të gjuash. Por që për fat shkoi mirë.

Përveç golit të pësuar, çfarë ju prish më shumë humorin në një ndeshje?

Goli sigurisht që është diçka që një portier nuk do të donte kurrë të pësonte. Më prish humorin sjellja e ekipit taktikisht, pasi kur këto nuk funksionojnë, sjellin golin.

*** Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës në versionin print ***

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"