Festë me pica, Sauthgejt: Biletën e premë në… Tiranë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 12:22

Festë me pica, Sauthgejt: Biletën e premë në… Tiranë

Fitoren më të thellë në grup, që e arritën në ndeshjen e fundit kundër San Marinos 10-0, e cila preu edhe biletën e Anglisë në Katar, Herri Kejn me shokë e festuan me pica. “Tre Luanët” u lejuan nga trajneri Garet Sauthgejt që ta shijonin darkën me ushqimin e ndaluar, pasi shënuan një fitore me dopioshifra për herë të parë që prej vitit 1964, duke e mbyllur në vend të parë Grupin I.

sauthgejt

Kutitë e picave në dhomën e zhveshjes së Anglisë pas fitores 10-0 kundër San Marinos

Ai tha pas kualifikimit se ishte shumë i kënaqur me sjelljen e skuadrës së tij gjatë këtyre kualifikueseve. Në analizën pas fitores, Sauthgejt pranoi se tri rezultatet vendimtare të ishullorëve ishin rezultatet e marra në Budapest, Varshavë dhe Tiranë.

“Kualifikimin e arritëm në transfertat në Budapest, Varshavë dhe Tiranë. Unë dua të uroj të gjithë lojtarët dhe stafin për një vit shumë të suksesshëm.

Ne nuk e kemi në dorë nivelin e kundërshtarit që kemi përballë, por mentaliteti dhe mënyra sesi u qasëm në këtë ndeshje ishte fantastike”, tha tekniku i Anglisë.

“E dinim që do ta fitonim ndeshjen. Ajo që donim ishte që të sfidonim skuadrën dhe të bënim një paraqitje të nivelit të lartë”. I pyetur nëse Anglia është gati të bëjë hapin e madh dhe të fitojë një trofe të rëndësishëm pas humbjes në finalen e “Euro 2020”, mori këtë përgjigje nga Sauthgejt: “Nuk e kam menduar kaq gjatë.

Ne luajtëm 19 ndeshje këtë sezon. Ky është një shans i mirë për të analizuar muajt e fundit dhe kuptuar se çfarë eksperiencë u nevojitet lojtarëve të rinj përpara Botërorit”.

Anglia bëri një paraqitje të pamëshirshme në sulm, me kapitenin Herri Kejn, i cili shënoi 4 gola në pjesën e parë ndaj San Marinos. Vetëm Runi dhe Bobi Çarlton kanë shënuar më shumë sesa sulmuesi i Totenhemit me përfaqësuesen, i cili u bë lojtari i parë i Anglisë që prej Ian Rajtit në 1993-shin, që shënon 4 gola në një ndeshje dhe dy tripleta radhazi, pas asaj që i realizoi Shqipërisë.

“Po ta kishim lënë në fushë edhe një gjysmë ore, do të kishim në telefon familjen e Uejn Runit”, komentoi me humor Sauthgejt: “Ai është një golashënues fenomenal.

Ne donim që t’i jepnim shansin në këtë ndeshje dhe ai e shfrytëzoi shumë mirë. Unë kam parë Linekerin, kam luajtur me Runin dhe Bobi Çarlton është një legjendë e futbollit anglez, kështu që të jesh në shoqërinë e tyre flet shumë se sa finalizues i zoti ai është”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"