Estefano nuk “fryhet” pas fitores së Flamurtarit me Elbasanin: Ngjitemi vetëm nëse jemi të përulur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 27, 2023 | 18:32

Estefano nuk “fryhet” pas fitores së Flamurtarit me Elbasanin: Ngjitemi vetëm nëse jemi të përulur

Në Vlorë e marrin shtuar. Janë të kënaqur me fitoren e fundit, por nuk duan që të “fryhen”. Këtë e kupton edhe nga fjalët e Aleksandre di Estefano, një prej futbollistëve që po evidentohet te Flamurtari. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, sulmuesi e pranon që trepikëshi me Elbasanin rriti besimin. E megjithatë, nuk dëshiron që të shpërqendrohet.

estefano flamurtari

30- vjeçari premton se do të bëjë maksimumin për skuadrën, ndërsa për rivalin thotë se është vetëm ndeshja e radhës. Braziliani flet edhe për jetën në Vlorë.

Si është situata në skuadër pas fitores me Elbasanin?

E qetë. Arritëm një fitore të rëndësishme ndaj Elbasanit. Ishte një kundërshtar i vështirë dhe ai trepikësh ka shumë vlerë. Na rriti besimin për të vazhduar punën. Është për t’u përgëzuar i gjithë ekipi dhe stafi teknik për këtë sukses të arritur.

Këtë javë shkoni në Burrelin. E vështirë si transfertë?

Jemi të fokusuar te Burrelin. Kjo ishte një javë shumë e mirë pune. Dua të theksoj se i gjithë ekipi ishte i përkushtuar për ta përgatitur sa më mirë këtë ndeshje. Ne po shkojmë atje për të fituar, por me shumë përulësi dhe përkushtim. Cili është kundërshtari i këtij Flamurtari? Rivali ynë? Kundërshtari i radhës. Nuk kemi kundërshtar tjetër. Është ndeshja e radhës.

Çfarë premtoni që do të jepni për skuadrën?

Përkushtim dhe vetëm përkushtim. Ky është premtimi im. Do të bëj gjithmonë më të mirën për ekipin tim. Në fakt të gjithë këtu kanë këtë mentalitet. Ne jemi një ekip dhe qëllimi i të gjithëve është të rikthehemi në Superiore një ditë dhe në një kohë të afërt. Si po ndiheni në Vlorë? Jam shumë i lumtur në Vlorë. Është një qytet i mirë, me njerëz të këndshëm që të respektojnë. Ndihem shumë mirë edhe në klub. Drejtuesit, stafi teknik, futbollistët të gjithë janë njerëz të mirë dhe më mbajnë afër.

Çfarë cilësoni si të veçantë nga jeta këtu?

Vlora është një qytet i bukur dhe komod. Të gjithë më pritën shumë mirë. Shqiptarët janë njerëz mikpritës.

ERMAL SIKA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"