“Është trajneri jabanxhi më i mirë që ka ardhur në Shkodër”, kur Nikaj i thurte elozhe Mirsad Jonuzit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 18:42

“Është trajneri jabanxhi më i mirë që ka ardhur në Shkodër”, kur Nikaj i thurte elozhe Mirsad Jonuzit

Samuel Nikaj ka pasur një tjetër mendim tre muaj më parë për trajnerin e Vllaznisë, Mirsad Jonuz. Në një intervistë që ka dhënë më 25 nëntor 2019 për portalin “sportekspres.com”, Nikaj e cilësonte maqedonasin si një nga trajnerët më të mirë joshkodran që ka punuar te Vllaznia.

Nikaj-Jonuz

“Dua të jap të gjitha vlerësimet e mia për trajnerin Jonuz. Nuk e kam takuar ende personalisht, por nga ajo që kam parë dhe jam informuar, është trajneri jabanxhi më i mirë që ka ardhur në Shkodër. Një njeri i drejtë dhe burrë me fjalët e tij, duke dalë gjithmonë me sinqeritet dhe duke shpjeguar situatat e klubit. Sigurisht që për skemat gjithmonë ka interpretime të ndryshme, por unë kam vlerësim të madh për këtë trajner”, pat thënë Nikaj.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, trajneri shkodran ishte komplet ndryshe sa i përket vlerësimit për Jonuz. “Ajo që mua më shqetëson te një trajner dhe ma heq krejt respektin, janë deklaratat pas ndeshjes. Nuk mundet trajneri të fshihet pas gishtit. Nuk është fusha faktor, pasi aty janë stërvitur edhe trajnerë të tjerë”, deklaroi Nikaj për televizionet lokale.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"