Emrin e ka “e dielë”, Teuta e prezanton të hënën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 19:35

Emrin e ka “e dielë”, Teuta e prezanton të hënën

Teuta zhvilloi sot përgatitjet në Durrës. E, megjithatë, kjo ishte seanca e parë dhe e fundit, pasi nesër ekipi ka planifikuar që të marrë rrugën drejt Ohrit. Durrsakët do të qëndrojnë 15 ditë në Maqedoni, ku do të kryejnë etapën e dytë të fazës përgatitore.

Teuta

Nën urdhrat e Gugash Maganit në seancën e sotme u vu edhe mbrojtësi Oluasina Abe Sundaji. Ai erdhi dy ditë më parë në Shqipëri dhe u sot zyrtarisht si blerja më e re në ambientet e rikonstruktuara të “Niko Dovana”-s. Me afrimin e 26-vjeçarit, defensiva e “djemve të detit” mund të konsiderohet si një repart i kompletuar.

Menaxheri i ekipit Ilir Silo ka qenë një ndër personat që mundësoi për afrimin e nigerianit. Ai plotësoi që të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke bërë të mundur që lojtari të vinte në Durrës pas një muaj pritjeje. Sundaji cilësohet si një lojtar me përvojë, ndërsa me ish-skuadrën ka marrë pjesë edhe në Champions League Afrikane, ku është aktivizuar në 6 takime si titullar.

Oluasina

Kështu, pas ardhjes së tij, shkon në tre numri i afrikanëve të afruar te “djemtë e detit”, pas Onyeka Osemene dhe Latif Amadu. Skuadra, në fakt, mund të quhet totalisht e kompletuar, e megjithatë trajneri është në pritje edhe të një talenti për majën e sulmit. Bëhet fjalë për një lojtar që është vetëm 19 vjeç dhe që ka luajtur në Kategorinë e Parë sezonin e fundit, por emri i tij nuk bëhet i ditur.

Po sot, vendoset e ardhmja e serbit Semin Haxhibuliç. Paraqitja e sulmuesit është larg pritshmërive dhe këtë e shfaqi në të gjitha miqësoret e zhvilluara në Itali dhe ndoshta drejtuesit mund ta largojnë. Gjithsesi, fjala e fundit nuk është thënë ende. Sakaq, gjatë seancës së të hënës do të vihen nën urdhrat e trajnerit peqinas edhe dy lojtarë të tjerë, konkretisht portieri Moçka dhe mesfushori Lena.

Me blerjet e reja dhe me rikthimet, skuadra është thuajse gati dhe 80% e roleve janë të dubluara. Tashmë nuk mbetet gjë tjetër veçse stafi teknik të kolaudojë skuadrën dhe të ideojë 11-shen “tip”, me të cilin do të pretendojnë minimalisht Kupat e Europës.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"